Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një nismë deputetësh dhe në parim ndryshimet në Kodin Penal

  • Postuar më, 20/10/2020

20 tetor 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja në mbledhjen e radhës shqyrtoi  dy projekligje. 

Fillimisht në cilësinë e komisionit përgjegjës u shqyrtua në parim projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar””, si dhe nisma e deputetes Klotilda Bushka për disa ndryshime në “Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar””, të cilat u relatuan nga deputetja Vasilika Hysi. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin z. Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë, si dhe  z.Besmir Beja,  Drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Z.Karameta gjatë prezantimit sqaroi objektivat kryesorë të këtij projektligji, si dhe domosdoshmërinë e ndryshimeve të Kodit Penal pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar. Sipas zëvendësministrit situata e krijuar pas tërmetit nxori në pah disa mangësi në kuadrin ligjor penal.  “Aktualisht kemi një vakum ligjor në drejtim të identifikimit të përgjegjësisë penale dhe ndëshkueshmërisë së subjekteve ndërtuese që veprojnë në haptazi në kundërshtim me rregullat e ndërtimit”, u shpreh zëvendësministri.

Ndërkohë znj.Bushka gjatë prezantimit sqaroi se nisma: “lidhet me të gjitha ato klauzola të marrëveshjes së 5 Qershorit, të cilat tentuan të adresojnë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR në mënyrë që kuadri ligjor për zgjedhjet të lira dhe të ndershme të jetë i plotë dhe i dakordësuar”. Znj.Bushka detajoi më tej se nisma synon që personat që kryejnë veprën penale të shitblerjes së votës, nëse bashkëpunojnë me organet e drejtësisë , do të përjashtohen nga dënimi për veprën penale.

Pas diskutimeve dhe votimit në parim të të dy projekt-akteve, komisioni miratoi në parim që dy nismat të integrohen në një projektligj të vetëm.  

Më tej, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u vijua me shqyrtimin e projektligjit  “Për Urdhrin e Inxhinierit Hidroteknik në Republikën e Shqipërisë”, nismë e dy deputetëve: Ismet Beqiraj dhe Andrea Marto. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin nga Urdhri Profesional Hidroteknik: z.Eduard Nallbani, Kryetar i Urdhrit, z. Jetmir Skuka, zëvesndëkryetar dhe znj. Ilda Saliasi,  Drejtuese e administratës

Nisma u prezantua nga z.Beqiraj, i cili sqaroi se projektligji ka si qëllim përmirësimin, mbrojtjen dhe forcimin e autoritetit publik të profesionit të inxhinierit hidroteknik, të cilët kryejnë aktivitet vetërregullues. Ndër objektivat e synuara, bashkënismëtari renditi: zbatimin e eurokodeve në fushën e veprimtarisë hidroteknike; ngritjen, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Trajnimit Profesional Hidroteknik, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

 Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, “Cisco Webex”. 

 


Share