Seanca e sotme plenare miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 16/11/2020

16 nëntor 2020

Pas përfundimit të interpelancës së kërkuar nga shtatë deputetë të Kuvendit me ministrin e Brendshëm, z. Lleshaj, seanca vijoi normalisht punimet me shqyrtimin dhe miratimin e tre projektligjeve:  “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë politike”, i ndryshuar”, “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2019” dhe “Për buxhetin e vitit 2021”. 

Projektligji “Për buxhetin e vitit 2021”, shqyrtimi i të cilit në parim ishte kryer në seancën paraardhëse, gjeti mbështetjen e 84 deputetëve, si edhe 84 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenime iu miratuan edhe amendimet përkatëse, të hartuara në një bllok të përbashkët pas fazës së shqyrtimit nen për nen në komisionet e Kuvendit. Lidhur me këtë projektligj, deputeti Anastas Angjeli u shpreh se Komisioni i Ekonomisë pati reflektuar të gjitha mendimet e komisioneve të Kuvendit, grupeve të interesit, opozitës dhe mazhorancës, si edhe vizionin e qeverisë. Ai u shpreh se projektbuxheti i vitit 2021 mundësonte vazhdimin e thellimit të paketës shëndetësore dhe kujdesit ndaj shtresave në nevojë për përballimin e pandemisë. 2.4 miliardë Lekë më tepër se në 2020 për rritjen me 40% të pagave të personelit shëndetësor, 2.5 miliardë Lekë për ndihmën ekonomike, 28 miliardë Lekë për rindërtimin e pasojave të tërmetit, vënia në qendër të sektorit të turizmit dhe të bujqësisë, u listuan prej tij si pikat më të forta të këtij buxheti. Gjithashtu, z. Angjeli, u shpreh se qeveria mbetet e vendosur të vijojë reformat e rëndësishme në drejtësi dhe për institucionet e pavarura, procesin e integrimit, gjithashtu edhe hapat në drejtim të ekonomisë së gjelbër, digjitale dhe përmbushjes së objektivave të mijëvjeçarit. Me 80 vota pro, 15 kundër dhe 4 abstenim u miratua në parim edhe projektligji tjetër i lidhur me buxhetin, “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2019”.

Seanca e sotme miratoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë politike”, i ndryshuar””, me 82 vota pro, 14 kundër dhe 3 abstenim. Në emër të opozitës parlamentare, në diskutimet lidhur me këtë pikë, z. Murrizi ngriti shqetësimin e paaftësisë së ligjit për partitë për të ndaluar financimet e dyshimta në partitë politike dhe fushata zgjedhore, pamundësinë për të shmangur fenomenin e partive fantazma me më pak votues se sa firmëtarë themelimi dhe pamundësinë e ligjit që të shëndoshë demokracinë e brendshme partiake. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Balla, qartësoi se ky projektligj vetëm sa ligjëronte një ndryshim të dakordësuar e të votuar me ndryshimet kushtetuese, ku financimet e partive kalonin nga ligji për partitë në Kod, sipas dakordësisë së tryezës. Ai gjithashtu pranoi se në legjislaturën e ardhshme, kërkohet më tepër për t’u bërë në drejtim të financave të partive dhe ligjit rregullues të tyre. 

Në përmbushje të masave protokollare antikovid, edhe seanca e sotme plenare u zhvillua në kushte masash të posaçme.


Share