Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi projektligjin “Për prokurimin publik”

  • Postuar më, 17/11/2020

17 nëntor 2020

Komisioni për Integrimin Europian, në drejtimin e kryetares znj.  Rudina Hajdari dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi shqyrtoi projektligjin “Për prokurimin publik”. Të ftuar për prezantimin e projektligjit ishin: znj. Reida Kashta, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, si dhe znj. Xhoana Ristani, Përgjegjëse e Sektorit të Integrimit po në këtë institucion.  Në fjalën e saj znj. Kashta bëri një përmbledhje të detajuar të këtij projektligji, ndryshimet dhe risitë, duke theksuar se nisma është në përputhje me direktivat e Komisionit Europian. Znj. Kashta shtoi se ky projektligj synon që të rrisë efiçencën dhe efikasitetin në procedurat e prokurimit publik; të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike dhe të ulë shpenzimet procedural, të nxisë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, të nxisë konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë, të sigurojë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik, si dhe  të sigurojë integritet, besim publik dhe transparencë në procedurat e prokurimit publik.

Mbledhja vijoi me pyetjet e anëtarëve të komisionit drejtuar të ftuarëve. Pas diskutimeve, u vendos që shqyrtimi i projektligjit të vijojë në mbledhjen e radhës. Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale “Cisco Webex”.


Share