Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin "Për Prokurimin Publik"
- Postuar më, 23/11/2020
Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi
projektligjin "Për Prokurimin Publik". Të ftuar në mbledhjen e sotme të komisionit ishin: z. Saimir Muçmataj, Drejtor
juridik në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, znj. Reida Kashta, Drejtoreshë
e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe z. Jonaid Myzyri, Kryetar i
Komisionit të Prokurimit Publik.
Kryetarja e komisionit, znj. Milva Ekonomi, në fillim
të mbledhjes parashtroi se nevoja për ndryshimet ligjore ka ardhur si rezultat
i faktit që projektligji i mëparshëm ka transpozuar dy direktiva të BE-së, të
cilat tashmë janë shfuqizuar dhe për këtë arsye lind e nevojshme që rregulloret
e reja të transpozohen në një ligj.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit
Publik, znj. Reida Kashta, në prezantimin e saj u shpreh se projektligji i
prokurimit publik ka si qëllim zgjidhjen e problematikave të hasura në një
periudhë më shumë se 10-vjeçare që nga viti 2006, si dhe për të rritur
eficencën në sistemin e prokurimit publik.
“Kushti i dytë apo arsyeja e dytë është që na duhet të
reflektojmë mbi objektivat e reja të Bashkimit Evropian, ku me ligjin aktual ne
përafrojmë Direktivat e vitit 2004 dhe ndërkohë me këtë ligj përafrojmë
Direktivat e vitit 2014. Aktualisht me këtë ligj përafrojmë katër Direktiva
njëherësh”,- theksoi znj. Kashta.
Ndërsa, z. Jonaid Myzyri, Kryetar i Komisionit të
Prokurimit Publik, në fjalën e tij u shpreh se në tërësi vlerëson se
projektligji ruan pavarësinë institucionale dhe funksionale të institucionit të
Komisionit të Prokurimit Publik dhe e kthen këtë institucion në një mjet ankimi
efektiv për operatorët ekonomik kundër vendimeve të autoritetit kontraktor.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë
projektligj nen për nen dhe në tërësi.