Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi një projektligj
- Postuar më, 24/11/2020
24 nëntor 2020
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në drejtimin e
kryetarit, z. Enver Roshi, në cilësinë e komisionit përgjegjës miratoi
projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 163/2014 “Për Urdhrin e
Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Mbledhja e sotme
vijoi me shqyrtimin dhe miratimin nen për nen dhe në tërësi, pasi në dy
mbledhje të mëparshme ishte diskutuar në parim dhe me grupet e interesit. I
pranishëm në mbledhjen e sotme të komisionit ishte zëvendësministri Albert
Nikolla.
Relatorja e projektligjit, znj. Adriana Jaku, u shpreh se qëllimi i kalimit
të këtij projektligji është disiplinimi i urdhrit, në pamundësi për t’u ngritur
prej një kohe të gjatë, me synim rritjen e
cilësisë së shërbimit, mbrojtjen dhe rritjen e kualifikimit të
punonjësve socialë. Znj. Jaku paraqiti edhe disa propozime të projektligjit, në
emër të komisionit, mbi draftin e sjellë nga Ministria. Anëtarët e komisionit
shtuan sugjerimet e tyre përkatëse. Në fund të diskutimeve të komisionit,
anëtarët votuan projektligjin së bashku me ndryshimet e paraqitura nga
komisioni.