Mimi Kodheli, Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashme, takohet me z. Mohamed Heider, Ambasador i Egjyptit në Republikën e Shqipërisë

  • Postuar më, 25/11/2020

25 nëntor 2020

Sot, më 24 nëntor 2020, Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli pati një takim kortezie me Ambasadorin e ri të Egjyptit në Republikën e Shqipërisë, SH.T.Z. Mohamed Heider

Ambasadori Heider, pasi falenderoi për mikpritjen, uroi zonjën Kodheli për zgjedhjen e saj në postin e lartë të Zevendëspresidentes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, duke e konsideruar këtë zgjedhje si mjaft të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin. Shqipëria, tha ai, është një gur themeltar për sigurinë dhe bashkëpunimin në Ballkan, roli i së cilës po rritet vazhdimisht në organizatat ndërkombëtare si në NATO, OSBE dhe, me shumë gjasa, së shpejti edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Më tej ai theksoi interesin e veçante të Egjyptit ndaj Shqipërisë, si një vend me të cilin e bashkojnë lidhjet historike dhe ndienjat miqësore. Në këtë kuadër ai shprehu vullnetin e Egjyptit për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve.  Duke folur për marrëdhëniet ndër-parlamentare, ai nënvizoi rolin e grupeve parlamentare të miqësisë dhe nevojën për t’i ripërtritur e intensifikuar kontaktet midis tyre.

Znj. Kodheli pasi e falenderoi Ambasadorin egjyptian për urimet, vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve historike midis dy vendeve dhe ndienjat miqësore që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë midis popujve tanë. Ajo theksoi se këto lidhje duhet të ravijëzojnë edhe qëndrimin e Egjyptit ndaj shqiptarëve si një komb dhe Kosovës si shtet i pavarur.

Më tej bashkëbiseduesit folën mbi aspekte të veçanta të bashkepunimit në fushën politike, ekonomike e të turizmit.  


Share