Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi tre projektligje
- Postuar më, 27/11/2020

Komisioni për Politikën e Jashtme në drejtimin e
kryetares znj.Mimi Kodheli dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi
shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e radhës tre projektligje.
I pari ishte projektligji “Për ratifikimin e
marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, si huamarrës, Bankës
së Shqipërisë, si agjent për huamarrësin, dhe Bashkimit Evropian, si huadhënës,
për ndihmën makrofinanciare për Shqipërinë”, i cili u relatua për komisionin
nga deputeti Ervin Bushati.
E ftuar për të prezantuar nismën, Drejtoresha e
Përgjithshme e Borxhit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, znj. Kesjana
Halili sqaroi se projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së huas,
ndërmjet Republikës së Shqipërisë, si huamarrës, Bankës së Shqipërisë, si
agjent për huamarrësin, dhe Bashkimit Evropian, si huadhënës, për ndihmën
makrofinanciare për Shqipërinë, në shumën prej 180 milionë eurosh. Në muajin
maj, Parlamenti Evropian dhe Komisioni i Bashkimit Evropian miratuan vendimin
për të vënë në dispozicion asistencë makrofinanciare drejt vendeve të zgjerimit
dhe vendeve fqinje në kontekstin e krizës pandemike të COVID-19. Sipas znj.Halili, ndër të tjera vendimi i vë
në dispozicion Shqipërisë asistencë makrofinanciare në formën e një huaje. “Kjo
asistencë financiare do të disbursohet në dy transhe deri në 90 milionw euro
secila”, sqaroi znj.Halili. Relatori i
projektligjit, z. Ervin Bushati vlerësoi se termat e marrëveshjes së huas janë
tepër të favorshëm dhe ftoi të gjithë deputetët ta miratojnë atë. Pas
diskutimeve, komisioni miratoi në parim dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Më tej u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për
ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Programin për Zhvillimin e
Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri” dhe u relatua nga deputeti Adnor
Shameti, i cili e vlerësoi marrëveshjen si tepër të rëndësishme për objektivat
që do të realizojë. Pas diskutimeve komisioni miratoi në parim dhe në tërësi
projektligjin që ratifikon marrëveshjen e huas, për programin për zhvillimin e
turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri, në shumën e 60 milionë eurove.
Programi synon rritjen e kontributit të turizmit të qëndrueshëm dhe të
përgjegjshëm ndaj rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Projekligji i fundit në rendin e ditës, “Për
ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin për reagimin ndaj
emergjencës COVID-19 në Shqipëri”, u relatua nga deputetja znj. Eglantina
Gjermeni dhe u prezantua nga znj.Gelardina Prodani, Sekretare e Përgjithshme e
Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo e fundit, sqaroi se
projekligji ka për qëllim ratifikimin e marrëveshjes së huas, nd?rmjet
Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim,
në shumën e 15 milionë eurosh, që do të përdoren për mbrojtjen e shëndetit
publik, parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet pandemia
COVID-19, si dhe fuqizimin e sistemeve kombëtare të gatishmërisë së shëndetit
publik në vendin tonë.
Pas diskutimeve edhe ky projektligj u miratua në parim
dhe në tërësi nga shumica e deputetëve të pranishëm në mbledhjen e komisionit.
Në vijim të masave protokollare antiCovid, mbledhja e sotme u zhvillua përmes
platformës elektronike të komunikimit, “Cisco Webex”.