Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron kryeparlamentarin sloven, Zorcic, për Ditën e Pavarësisë: Sllovenia, partnere në NATO, avokate e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor
- Postuar më, 26/12/2020

26 dhjetor 2020
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetarit
të Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, z. Igor Zorcic, me
rastin e Ditës së Pavarësisë dhe Unitetit.
“Me rastin
e 30 vjetorit të Ditës së Pavarësisë dhe Unitetit të Republikës së Sllovenisë,
në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në emrin tim personal Ju
shpreh urimet më të përzemërta.
Shpallja e
pavarësisë së Republikës së Sllovenisë nëpërmjet referendumit të 26 dhjetorit
1990 ishte një fitore e madhe e popullit slloven dhe hapi rrugën për përshpejtimin
e ritmeve të zhvillimit politik, ekonomik e shoqëror si edhe për rritjen e mirëqenies
së popullit slloven.
Gjatë këtyre
tridhjetë vjetëve, Sllovenia ka shënuar arritje të pakrahasueshme në rrugën e
saj drejt demokracisë, zhvillimit, prosperitetit dhe prestigjit ndërkombëtar.
Sllovenia është sot një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s dhe me një
ndikim të dukshëm në zhvillimet rajonale, europiane e marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sllovenia është
një vend mik e partner i Shqipërisë, e cila ka mbështetur anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe ka qenë
e mbetet një avokate e integrimit europian
të Shqipërisë dhe zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Mbështetja
e Sllovenisë ka qenë një inkurajim i madh për avancimin e procesit të
integrimit europian të vendit tonë.
Vendimi i
Këshillit të Bashkimit Europian në datën
25 mars 2020 për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Republikës së
Shqipërisë, i bazuar në progresin e
arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli,
është rezultat edhe i mbështetjes së Sllovenisë, të cilën populli shqiptar nuk
do ta harrojë kurrë.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.