Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi një Akt normativ dhe një projektligj
- Postuar më, 20/01/2021

20 janar 2021
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në drejtimin e kryetarit z. Ilir Beqaj, shqyrtoi dhe miratoi Aktin Normativ nr. 36, datë 23.12.2020 “Për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik”, si dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) për krijimin e një përfaqësie të FAO-s në Republikën e Shqipërisë”.
Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua Akti Normativ nr. 36, datë 23.12.2020 “Për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik”, për të cilin ishin të ftuar z. Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe z. Blendi Gonxhja, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Transportit Rrugor.
Z. Xhafaj sqaroi se nisma është propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19 dhe shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.243, datë 24.03.2020.
“Nuk hiqet përgjegjësia ligjore që kanë të gjitha subjektet për të marrë certifikatën e vlefshmërisë së kontrollit teknik, thjesht kjo vlefshmëri shtyhet për 3 muaj”, theksoi z. Xhafaj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, Akti normativ u miratua nga shumica e anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e komisionit.
Më tej, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) për krijimin e një përfaqësie të FAO-s në Republikën e Shqipërisë. E ftuar për prezantimin e këtij projekt-akti, zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Urban, znj. Ermira Gjeçi, u shpreh se nisma ka për qëllim të ratifikojë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (sot ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural) dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (Food and Agriculture Organization, FAO).
“Përfitimet e palës shqiptare nga kjo marrëveshje janë zbatimi i projekteve të financuara, duke u bazuar në Strategjinë Ndërsektoriale për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Shqipëri 2014-2020. Kjo strategji përfaqëson kornizën kryesore strategjike sektoriale për ndërhyrjet operacionale kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u përqendruar në tri fusha kryesore të politikës së zhvillimit rural, skemave kombëtare të mbështetjes dhe zhvillimit institucional dhe zbatimin e kërkesave rregullatore të Bashkimit Evropian.”, theksoi ndër të tjera zëvendësministrja Gjeçi.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Mbledhja u zhvillua në përmjet platformës online “Cisco Webex”.