Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi 4 Akte Normative dhe një projektvendim për rritjen e numrit të prokurorëve të SPAK

  • Postuar më, 20/01/2021

20 janar 2021

Në drejtimin e kryetarit, z.Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e parë për vitin 2021 shqyrtoi dhe miratoi 4 Akte Normative të Këshillit të Ministrave dhe një projektvendim. Në nisje të mbledhjes z.Manja bëri një bilanc të aktivitetit të komisionit përgjatë sesionit të kaluar, duke theksuar se puna ka vijuar normalisht pavarësisht kushteve të pazakonta të krijuara nga pandemia Covid-19. 

Pas miratimit të projekt-kalendarit të Komisionit për periudhën 18 janar - 5 shkurt 2021, u vijua me shqyrtimin e Aktit Normativ nr. 34, datë 16.12.2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020” të ndryshuar””, i cili u relatua nga deputeti Bashkim Fino.

E ftuar për prezantimin e projekt-aktit ishte znj.Mimoza Dhëmbi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Buxhetit  në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, e cila sqaroi se rishikimi i buxhetit lidhet kryesisht me nevojën e rishikimit të shpenzimeve që lidhen direkt me eliminimin e disa problemeve që u krijuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid-19, por dhe me disa ndryshime që rrisin më tej eficencën e fondeve buxhetore. “Treguesit kryesorë të buxhetit, totali i të ardhurave, totali i shpenzimeve, totali i deficitit buxhetor, rrjedhimisht dhe i borxhit publik, nuk ndryshojnë”, theksoi znj.Dhëmbi. Pas diskutimeve, komisioni miratoi Aktin Normativ me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e komisionit.  Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e Aktit Normativ nr. 35, datë 16.12.2020 të Këshillit të Ministrave “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike” miratuar me ligj nr. 18/2020”, për të cilin ishin ftuar z.Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, z.Klajdi Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë, si dhe stafi teknik i të dy ministrive. Z. Hodaj sqaroi se ndryshimet në Aktin Normativ kanë për qëllim shtyrjen e afatit për veprimtarinë e gjykatës dhe prokurorisë kompetente të ngarkuar në ushtrimin e kompetencave deri në zgjidhjen përfundimtare të rasteve të referuara nga Policia e Shtetit (OFL) dhe shprehjen me vendim për ato kërkesa që janë depozituar deri në datën 31.12.2020. Zëvendësministri i Brendshëm sqaroi se për shkak të volumit të punës, por dhe situatës së krijuar nga pandemia, është e nevojshme shtyrja e afatit në mënyrë që të sigurohet edhe një barazi mes atyre subjekteve që janë referuar në SPAK, por dhe për të siguruar vazhdimësinë normale të procesit deri në vendimmarrjen përfundimtare. Pas diskutimeve, pyetjeve dhe komenteve, komisioni miratoi me shumicë votash Aktin Normativ në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare. Më tej u shqyrtua Akti Normativ nr. 36, datë 23.12.2020 “Për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik”, i cili u prezantua nga z.Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Z.Xhafaj sqaroi se propozimi për shtyrjen e vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik me 3 muaj, vjen në kushtet e krijuara nga pandemia dhe masave kufizuese për marrjen e shërbimeve apo lëvizjes së automjeteve. “Nuk ka asnjë heqje nga përgjegjësia ligjore, si për pagesën e taksave ashtu dhe për kontrollin teknik në këtë afat 3-mujor, por thjesht një shtyrje të këtij afati për të mundësuar kryerjen e këtij funksioni nga DPSHTRR në kushte optimale pa rrezikuar jetën e qytetarëve apo të stafit teknik”, sqaroi zëvendësministri Xhafaj. Pas pyetjeve dhe komenteve, komisioni miratoi me shumicë votash Aktin Normativ në fjalë. I fundit u shqyrtua Akti Normativ nr. 37, datë 24.12.2020 “Për një ndryshim në aktin normativ nr. 8, datë 7.12.2019 të Këshillit Ministrave “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”, i cili u prezantua nga znj.Mimoza Dhëmbi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Borxhit në MFE dhe u relatua nga deputetja Klotilda Bushka. Akti Normativ ka për qëllim shtyrjen e afatit për përfitimin e subvencionimit të qirasë për familjet e dëmtuara nga tërmeti i datë 26 nëntor deri në momentin që këtyre familjeve t'u rindërtohet apo rikonstruktohet banesa e dëmtuar. Ky Akt Normativ synon të shkurtojë procedurat, afatet kohore dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë familjet përfituese, si edhe bashkitë për të përfituar mbështetje buxhetore, duke shmangur disa parashikime të ligjit nr.22/2018 (nenet 35, 37, 39) deri në sigurimin e strehimit nëpërmjet programit të rindërtimit. Pas diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi Aktin Normativ dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.  Pika e fundit e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektvendimit “Për përcaktimin e numrit të Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”, për të cilin ishte ftuar z.Arben Kraja, drejtues i SPAK. Z.Kraja argumentoi se për shkak të detyrimeve ligjore që duhet të kryejë Prokuroria e Posaçme dhe ngarkesës së madhe në punë të prokurorëve, sidomos me rastet e referuara nga OFL dhe subjektet e ligjit anti-mafia, nevojitet një rritje e numrit të prokurorëve nga 15 në 20, duke nisur që nga viti 2021. Pas diskutimeve, komisioni miratoi projektvendimin dhe ia kaloi për miratim seancës plenare. Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua në përmjet platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share