Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit për ngritjen e Institutit Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë
- Postuar më, 21/01/2021
.jpeg)
Sekretari i Përgjithshëm, z.Genc Gjonçaj dhe
Drejtoresha e Institutit Demokratik Amerikan për Shqipërinë, znj. Ana
Kovacevic, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për ngritjen e
Institutit Parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë.
Z. Gjonçaj e vlerësoi ngritjen e Institutit si një hap
tejet pozitiv, i cili do të ndihmojë jo vetëm në forcimin e kapaciteteve të
Kuvendit në fushën e kërkimit parlamentar dhe modernizimin e tij, por mbi të
gjitha në krijimin e një Kuvendi sa më të hapur për qytetarët.
“Ngritja e
Institutit është një nevojë e Parlamentit tonë dhe sot ne materializojmë
eksperiencën e Kongresit të SHBA-së, i cili ka një institut të modelit që ne po
e krijojmë; materializojmë një eksperiencë e cila ndodh në Parlamentin Europian,
që ka një model të ngjashëm me këtë që ne do të formalizojmë me nënshkrimin e
kësaj marrëveshjeje”, u shpreh z.Gjonçaj përpara nënshkrimit të
marrëveshjes. Më tej Sekretari i
Përgjithshëm nënvizoi kontributin e çmuar dhe mbështetjen e Kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi dhe z.
Robert Benjamin, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit
Demokratik Amerikan, për ndarjen e vizionit në lidhje me ngritjen e Institutit
Parlamentar.
Znj. Kovacevic vlerësoi bashkëpunimin mjaft të mirë me
Kuvendin, që sipas saj do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të Parlamentit
shqiptar, ashtu si parlamentet simotra europiane, jo vetëm në lëmin e analizave
profesionale, por dhe forcimin e rolit të përfaqësimit dhe mbikëqyrjes
parlamentare.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morrën pjesë Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, z.Kosta Bajraba, drejtues të administratës së Kuvendit dhe përfaqësues të zyrës së NDI në Tiranë dhe Ambasadës zvicerane në Tiranë.
I ngritur në kuadër të mbështetjes që i ofrohet
Kuvendit nga Qeveria Zvicerane përmes projektit për Parlamentin dhe Edukimin
Qytetar (PACEP), Instituti Parlamentar do të shërbejë për krijimin e një
standardi bashkëkohor të kërkimit parlamentar, bibliotekës dhe edukimit qytetar.
Në të janë integruar eksperiencat më të mira nga Institutet Parlamentare Çeke,
Sllovake dhe të Maqedonisë Veriore duke u bazuar dhe në nevojat dhe specifikat
e Kuvendit të Shqipërisë.
Instituti Parlamentar do të sigurojë informacion të
besueshëm, në kohë, dhe të paanshëm për të mbështetur debate të infomuara dhe
vendimmarrje të bazuar në fakte nga deputetët, por gjithashtu do të ndikojë për
rritjen e edukimin qytetar dhe transparencës.