Komisioni për Ekonominë dhe Financat, miratoi dy Akte Normative në mbledhjen e parë të sesionit të ri parlamentar

  • Postuar më, 21/01/2021

21 janar 2021

Komisioni për Ekonominë dhe Financat në drejtimin e kryetarit të ri të këtij komisioni z. Anastas Angjeli zhvilloi sot mbledhjen e parë të vitit 2021 dhe mbledhjen e parë për sesionin e fundit parlamentar të kësaj legjislature. Në rendin e diskutimeve të ditës së sotme ishin shpallja e vendit vakant për pozicionin anëtar ne Komisionin e Konkurrencës pas dorëheqjes së z. Helidon Bushati nga ushtrimi i kësaj detyre, si edhe shqyrtimi i dy akteve normative.

Pas miratimit të programit të punës së Komisionit për periudhën 18 janar – 26 shkurt 2021, z. Angjeli shpalli zyrtarisht vakancën për pozicionin anëtar në Komisionin e Konkurrencës.

Për Aktin Normativ nr. 34, datë 16.12.2020 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 88/2019 "Për buxhetin e vitit 2020" të ndryshuar"", të ftuar ishin zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Adela Xhemali dhe drejtoresha e Përgjithshme e Buxhetit znj. Mimoza Dhëmbi.

Zëvendësministrja Xhemali në fjalën e saj theksoi se ministria e Financave dhe Ekonomisë bazuar në vlerësimet më të fundit të situatës makroekonomike fiskale, ka ndërmarrë procesin dhe ka përgatitur skenarin e rishikimit të buxhetit 2020, dhe ky rishikim propozohet t’i nënshtrohet procedurës së aktit normativ, dhe se aspekti i nevojës dhe emergjencës të së cilit lidhet kryesisht me; financimin e shpërblimit të fund vitit për kategorinë e pensionistëve dhe shtesën e fondeve për financimin e skemës së ndihmës ekonomike & paaftësisë.

Relatori z. Angjeli u shpreh se ky akt normativ nuk është thjesht një ndarje matematikore por ndihmon të njëjtin problem, pra edhe anën sociale edhe anën ekonomike.

“Mendoj që ky Akt Normativ ishte një instrument shumë i nevojshëm në fund të vitit, për të plotësuar nevojat sociale, humane me një dimension edhe për shëndetin publik edhe kundër pandemisë Covid19, e në të njëjtën kohë me një rialokim të fondeve për të maksimizuar eficencën e shpenzimeve publike dhe natyrisht pa prekur, pa shtuar por duke zvogëluar atë përkeqësim që i ka ndodhur treguesve makroekonomik për shkak të situatës dhe krizës që po kalojmë.”,- vuri në dukje z. Angjeli.

Pas diskutimeve, pyetjeve e komenteve të ndryshme ky akt normativ u miratua me votë nga anëtarët e komisionit.

Çështja tjetër e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Aktit Normativ nr. 37, datë 24.12.2020, “Për një ndryshim në Aktin Normativ nr. 8, datë 7.12.2019, të këshillit të ministrave, “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”.

Për këtë çështje ishin të ftuar drejtoresha e Drejtorisë së Strehimit znj. Doris Andoni dhe znj. Mimoza Dhëmbi drejtoresha e Përgjithshme e Buxhetit.

Relatorja znj. Blerina Gjylameti, në fjalën e saj u shpreh se subvencionimi i pagesës së qirasë sipas këtij akti normativ do të zgjasë deri në momentin që familjeve u rindërtohen apo u rikonstruktohen banesat, të cilat si rezultat i tërmetit te datës 26 nëntor 2029, janë shembur ose janë deklaruar si të pabanueshme me akt konstatimi nga Instituti i ndërtimit.

Pas diskutimeve, kryetari i komisionit z. Anastas Angjeli e propozoi këtë Akt Normativ për votim, ku u miratua me votë nga anëtarët e komisionit.

Në vijim të masave të posaçme lidhur me pandeminë, edhe mbledhja e sotme u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit “Cisco Webex”.


Share