Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi një projektligj dhe zhvilloi seancë dëgjimore me kandidatin për anëtar të Këshillit Drejtues të AKEP

  • Postuar më, 25/01/2021

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në drejtimin e kryetarit z.Ilir Beqaj zhvilloi një seancë dëgjimore me z. Lorenc Bako, kandidat për anëtar të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Në prezantimin e tij përpara komisionit, z. Bako u shpreh se miratimi i kandidaturës së tij, bazuar në eksperiencat e ndryshme që ka pasur në këtë fushë, profesionit dhe njohjeve ligjore dhe profesionale, do të jetë një vlerë e shtuar dhe një garanci në Këshillin drejtues të AKEP.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan kandidaturën e z. Bako, e cila do t’i përcillet për votim seancës plenare.

Çështja e dytë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, e cila vjen si nismë e deputetit z. Ili Beqaj.

Të ftuar për këtë projektligj ishte zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Etjen Xhafaj, z. Adrian Kamenica, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe z. Pavlin Ndreu, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Detare.

Relatori i projektligjit z. Ilir Ndraxhi u shpreh se qëllimi i këtij projektligji është harmonizimi me legjislacionin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, konkretisht me ligjet: “Për aktivitetet e Turizmit Detar”, “Për regjistrimin dhe mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të argëtimit” dhe ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, etj., duke sjellë kështu edhe propozimin e disa ndryshimeve në Kodin Detar, me qëllim harmonizimin e përcaktimeve me këto ligje.

Zëvendësministri Xhafaj në fjalën e tij theksoi se ministria është e angazhuar tërësisht në ndryshimin e Kodit Detar. “Ne jemi duke zhvilluar aktualisht një bashkëpunim me Agjencinë Evropiane të Sigurisë Detare, ky është një projekt i gjerë asistence teknike, pjesë e të cilit do të jetë asistenca teknike në përditësimin e Kodit Detar Shqiptar.”, vlerësoi ndër të tjera z. Xhafaj.

Pas diskutimeve, pyetjeve e sugjerimeve anëtarët e komisionit miratuan ndryshimet e propozuara nga z. Beqaj për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.

 


Share