Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim dy projektligje

  • Postuar më, 25/01/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Erminela Felaj Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim projektligjin “ Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”

I ftuar për të shpjeguar projektaktin në komision, ishte z. Petro Koçi, zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes.

Për sa i përket ndryshimeve z. Koçi në mënyrë të përmbledhur shpjegoi se, nga ky ndryshim i ligjit ekzistues, preken të gjithë ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, studentët ushtarake, ushtarakët në rezervë, si dhe Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i FARSH, Komandat e forcave dhe ato mbështetëse, si dhe çdo strukturë tjetër organizative, të cilët sipas dispozitave të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, merren me menaxhimin e karrierës së personelit ushtarak. Konkretisht nëpërmjet këtyre ndryshimeve , sipas z. Koçi, synohet: Rekrutimi i kandidatëve më të kualifikuar, ulja e numrit të kërkesave të ushtarakëve për lirim nga FARSH,krijimi i një piramide të mirëfilltë gradash, promovimi i gradave të ulta.

Relatorja e projektligjit znj. Antoneta Dhima, për sa i përket synimit dhe objektivave të tij, u shpreh se: “Projektligji synon rritjen e meritokracisë, barazisë dhe efektivitetit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Meritokracia,përparimi në gradë i atyre ushtarakëve, të cilët performojnë më mirë dhe përforcimi i piramidës së gradave, duke garantuar një numër progresiv rritës, ndërkohë që zbritet në gradë, janë çelësi i funksionimit të një strukture të armatosur”. 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim projektligjin në fjalë.

Më tej komisioni vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.173/2014, “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë ”. Për sa i përket këtij projektligji, z. Petro Koçi u shpreh se: “Problematikat kryesore, të cilat janë evidentuar nga zbatimi në praktikë i ligjit aktual, janë raste shkeljesh që nuk janë të përcaktuara si të tilla por që në vetvete përbëjnë sjellje të cilat cenojnë etikën dhe disiplinën. Për këtë arsye, është vlerësuar e nevojshme të përditësohet lista me shkelje për secilën kategori duke shtuar shkelje të reja apo duke rikategorizuar disa prej tyre dhe sa i përket llojit të masave disiplinore dhe të autoriteteve kompetente për dhënien e tyre”. Relatori i projektligjit,z. Xhemal Qefalija, theksoi se, përparësia e këtij projektligji është rritja e efiçencës së proceseve të përditshme të Forcave të Armatosura dhe përmirësimi i disiplinës.

Në përfundim anëtarët miratuan në parim ndryshimet e propozuara. 


Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX


Share