U zhvillua mbledhja e komisionit për Ekonominë dhe Financat
- Postuar më, 10/02/2021
Në
drejtimin e kryetarit z. Anastas Angjeli, komisioni për Ekonominë dhe Financat
shqyrtoi projektligjin "Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e
përkthyesit zyrtar".
Të
ftuar për këtë projektligj ishin përfaqësues nga ministria e Drejtësisë z.
Klajd Karameta dhe nga ministria e Financave dhe Ekonomisë znj. Mimoza Paço.
Z.
Karameta në fjalën e tij u shpreh se ky projektligj parashikon rregullimin e
shërbimit të përkthimit zyrtar, si dhe të statusit të përkthyesit zyrtar të
licencuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ka për qëllim përcaktimin e kushteve
për mirëfunksionimin e shërbimit të përkthimit zyrtar në Republikën e
Shqipërisë, si dhe mbrojtjen dhe garantimin e ushtrimit të profesionit të
përkthyesit zyrtar, si një profesion i lidhur me sistemin e drejtësisë në
funksion të garantimit të një procesi të rregullt ligjor dhe ushtrimit të
veprimtarisë në mënyrë të pavarur e gjithashtu në mbështetje të ligjit.
Relatorja
znj. Reme Lala theksoi se ky ligj ka për qëllim përcaktimin e kushteve për
mirëfunksionimin e shërbimit të përkthimit zyrtar në Republikën e Shqipërisë,
si dhe mbrojtjen e garantimin e ushtrimit të profesionit të përkthyesit zyrtar.
Pas
diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për
nen dhe në tërësi.
Çështja
e dytë e rendit të ditës që komisioni shqyrtoi ishte projektligji "Për
shërbimin e kontrollit të brendshëm dhe ankesat në sistemin e ekzekutimit të
vendimeve penale". Të ftuar për këtë projektligj ishin nga ministria e
Drejtësisë z. Klajd Karameta dhe nga ministria e Financave dhe Ekonomisë znj.
Vilma Causholli.
Z.
Karameta nwnvizoi se projektligji synon një reformim të shërbimit duke u organizuar
si strukture e veçantë e ministrisë së Drejtësisë, në varësi të drejtpërdrejtë
të ministrit i cili ka kompetenca hetimore dhe gjurmuese dhe ky shërbim
transformohet në modelin më demokratik si në aspektin e misionit po edhe atë të
detyrave funksionale, duke marrë edhe atributet e policisë gjyqësore.
Pas
diskutimeve, komenteve e sugjerime të ndryshme, ky projektligj u miratua në
parim, nen për nen dhe në tërësi.
Mbledhja
e komisionit vazhdoi me shqyrtimin e planit Vjetor 2021 për zbatimin e
programit të statistikave zyrtare 2017 – 2021. E ftuar për këtë çështje ishte
znj. Elsa Dhuli drejtoresha e përgjithshme e INSTAT.
Në
fjalën e saj znj. Dhuli u shpreh se dokumenti në fjalë paraqet aktivitetet statistikore
që do të kryhen nga INSTAT, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe
Ekonomisë gjatë vitit 2021, sipas fushave përkatëse statistikore që mbulojnë,
shoqëruar me afatet dhe periodicitetet e zbatimit etj.
Relatori
i çështjes z. Anastas Angjeli theksoi se Plani Vjetor 2021 është në përputhje
me dokumentin e ngjashëm i cili aplikohet nga vendet e tjera anëtare të BE-së,
mbështetur në nenin 17 të Rregullores (KE) 223/2009 të Parlamentit Evropian dhe
të Këshillit, datë 11 mars 2009 “Mbi statistikat evropiane, e cila shfuqizon
Rregulloren (KE, Euroatom), Nr. 1101/2008 të Parlamentit Evropian dhe të
Këshillit mbi dërgimin e të dhënave, të cilat i nënshtrohen konfidencialitetit
statistikor, Zyrës Statistikore të Komuniteteve Evropiane, Rregulloren e
Këshillit (KE) Nr. 322/97, Mbi Statistikat e Komunitetit dhe Vendimin e
Këshillit 89/382/EEC, Euroatom për krijimin e një komisioni mbi programet
statistikore të Komuniteteve Evropiane”.
Pas
diskutimeve, projektvendimi u miratua me votë nga anëtarët e komisionit dhe i përcillet
seancës Plenare.
Po
ashtu, kryetari Angjeli njohu anëtarët e komisionit me projektvendimin e
Kuvendit për përcaktimin e fondit për subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në
zgjedhjet 2021, ku pas diskutimeve u miratua me votë nga anëtarët e komisionit.
Mbledhja
u zhvillua nëpërmjet platformës së komunikimit virtual "Cisco Webex”.