Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miraton marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, mbi dhurimin në fushën e shëndetësisë
- Postuar më, 18/02/2021
Në drejtimin e kryetarit z. Enver Roshi, Komisioni për Punën,
Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në cilësinë e komisionit përgjegjës, mori në
shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të
Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë,
mbi dhurimin në fushën e shëndetësisë”. E pranishme në komision për të dhënë
shpjegime mbi përmbajtjen dhe qëllimin e kësaj marrëveshje ishte znj. Mira
Rakacolli zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Për sa i përket përmbajtjes së projektligjit, znj. Rakacolli, sqaroi se
me anë të kësaj marrëveshjeje, pala turke merr përsipër t’i dhurojë palës
shqiptare një spital me 150 shtretër që do të ndërtohet në Fier dhe pajisjet
mjekësore, materialet dhe orenditë e renditura në shtojcë për t’u përdorur në
spitalin e përmendur për palën shqiptare.
“Spitali i ri
Fier është një investim tepër i rëndësishëm në fushën e shëndetësisë dhe do të
ofrojë shërbim spitalor të kualifikuar dhe me një teknologji të lartë mjekësore
për të gjithë rajonin e jugut” bëri me dije zëvendësministrja në fjalën e saj.
Më tej, znj.
Rakacolli, në vijim të argumentimit të detajeve të marrëveshjes, sqaroi se
angazhimi i qeverisë turke për të përfunduar ndërtimin e këtij spitali në një
kohë rekord prej 3 muajsh kërkon, gjithashtu edhe angazhim nga qeveria
shqiptare për të lehtësuar të gjitha procedurat për kompaninë e kontraktuar nga
pala turke për ndërtimin dhe mobilimin e spitalit të ri Fier.
Për sa i përket
detajeve znj. Rakacolli tha se: “Furnizimi brenda Shqipërisë përmes prokurimit
të mallrave dhe shërbimeve për ndërtimin dhe funksionimin deri në datën e
dhurimit të spitalit nga pala turke për palën shqiptare, përjashtohet nga taksa
e vlerës së shtuar TVSH. Mallrat, materialet dhe pajisjet e importuara nga pala
turke për ndërtimin dhe funksionimin e spitalit gjithashtu përjashtohen nga
detyrimet doganore/taksat e tjera dhe TVSH-ja për importet”
Znj. Klodjana
Spahiu në cilësinë e relatores, vlerësoi projektin dhe theksoi se ky spital do
shërbejë përtej qarkut të Fierit. Pas diskutimeve anëtarët e
komisionit miratuan në parim dhe tërësi projektligjin në fjalë.
Ky projektligj,
në cilësinë e komisioneve për dhënie mendimi, u shqyrtua më parë edhe në tre
komisonet e tjera parlamentare, përkatësisht në Komisionin për Politikën e
Jashtme; Komisionin për Ekonominë dhe Financat dhe Komisionin për
Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriur. Të tre
komisionet e tjera, të cilat, po ashtu në zbatim të masave protokollare
anti-Covid i zhvilluan mbledhjet e tyre përmes platformës "Cisco
Webex", e miratuan në tërësi projektligjin në fjalë.