Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin “Për miratimin e shtesës së kontratës “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”

  • Postuar më, 19/02/2021

 Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, mori në shqyrtim në parim projektligjin “Për miratimin e shtesës së kontratës “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”. E ftuar për të bërë argumentimin e këtij projektakti ishte znj. Rovena Kuko zëvendësministre në Ministrinë e Brendshme. Lidhur me qëllimin dhe përparësitë e projejektligjit në fjalë, znj. Kuko tha se, me miratimin e këtij projektligji synohet ndryshim vizual i afatit të vlefshmërisë të kartave të identitetit që do të lëshohen për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç, sipas korrespondencës që përmendet në paragrafin “E” të këtyre parashtresave, e pasqyruar në këtë shtesë kontrate dhe në shtojcën e re 24 (Karta e identitetit për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç), e cila do të bëhet pjesë përbërëse dhe thelbësore e kontratës së koncesionit. Në cilësinë e relatores znj. Antoneta Dhima vlerësoi kontratën dhe theksoi se: “Autoriteti ka rënë dakord të zbatojë një zgjidhje të shpejtë që konsiston vetëm në një ndryshim vizual të afatit të vlefshmërisë të kartave të identitetit që do të lëshohen për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç, sipas korrespondencës që përmendet në paragrafin “E” të këtyre parashtresave, e pasqyruar në këtë shtesë kontrate dhe në shtojcën e re 24”. Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektin në fjalë.

 

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX


Share