Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miratoi 4 projektligje dhe 5 projektvendime, si dhe rrëzoi një Dekret të Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 22/02/2021

22 shkurt 2021

Seanca e sotme plenare, e drejtuar nga Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, miratoi 4 projektligje dhe 5 projektvendime, rrëzoi një Dekret të Presidenti të Republikës, si dhe shqyrtoi 3 raporte vjetore përkatësisht: të KKIE, Aleancës së Grave Deputete  dhe Raportin mbi punën e Kuvendit me institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj. Rendi i ditës nisi me shqyrtimin e Raportit për veprimtarinë vjetore të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2020. Gjatë diskutimeve, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka u shpreh se është bërë një punë e madhe dhe se Shqipëria i ka plotësuar 15 kushtet e kërkuara për çeljen e negociatave me BE, ndërsa ka vlerësuar punën e bërë nga KKIE përgjatë vitit 2020. “Sot një përgëzim e meriton edhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, së pari për presionin pozitiv që ka ushtruar gjatë gjithë këtij procesi dhe së dyti për faktin që ka luajtur një rol shumë domethënës për ta bërë procesin gjithëpërfshirës”, u shpreh ministrja Xhaçka. Më tej u vijua me Raportin për veprimtarinë vjetore të Aleancës së Grave Deputete për vitin 2020, i cili u paraqit nga zëvendëskryetarja e Aleancës së Grave Deputete, znj.Elona Gjebrea, e cila theksoi se Aleanca përgjatë vitit 2020 ka luajtur një rol aktiv në përmirësimin e ligjeve me ndjeshmëri gjinore, të cilat miratohen në Kuvend për t’i përshtatur ato me standardet më të mira ndërkombëtare.  Raporti mbi punën e Kuvendit me institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj për vitin 2020, u paraqit nga  Kryetari i Kuvendit. Z.Gramoz Ruçi, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se arritja më e madhe e Kuvendit gjatë vitit 2020 dhe kësaj legjislature është kontributi për rritjen e autoritetit të institucioneve të pavarura, si mbrojtës të interesit publik. “Nëse në vitin 2018, niveli i zbatueshmërisë së rekomandimeve ishte 45%, në vitin 2019 progresuam në 62% dhe në vitin 2020 arritëm shkallën e zbatueshmërisë 83%, pra gati dyfishuar krahasuar me 2018. Kjo rritje është tregues i rolit të Kuvendit në bashkëpunimin ndërinstitucional Kuvend-Institucione te pavarura-Qeveri dhe rritjen e llogaridhënies nga Qeveria. Kjo rritje është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes buxhetore për institucionet e pavarura. Në vitin 2021, krahasuar me 2018, mbështetja buxhetore u rrit me rreth 50%.”, u shpreh kryetari Ruçi.

Pas diskutimeve të raporteve u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.081 datë 23.02.2009 “Për liçencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””, për të cilin në emër të grupit parlamentar socialist, z. Edlira Bode u shpreh se miratimi i ligjit nr.21/2020, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.89/2014, “Për pajisjet mjekësore”, cili parashikon se aktiviteti i prodhimit dhe i tregtimit me shumicë të pajisjeve mjekësore do t’i nënshtrohen procesit të licencimit, në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet, ka diktuar nevojën e ndryshimit të ligjit nr.10081, datë 23.02.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”. Ky projektligj u miratua me 86 vota pro, 14 kundër dhe 8 abstenim.

Më pas u shqyrtua projektligji “Për miratimin e shtesës së kontratës “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”, i cili synon përmirësimin e procesit të aplikimit për prodhimin dhe lëshimin e dokumenteve të identitetit nëpërmjet përdorimit të dokumentit elektronik dhe shërbimit të nënshkrimit elektronik të kualifikuar (përmes platformës e-Trust). Risi tjetër është adaptimi i një zgjidhje teknike dhe ligjore të realizueshme për të mundësuar zbatimin e ligjit nr. 89/2020, datë 09/07/2020 "Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10. 10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptare", i ndryshuar”, i cili ka parashikuar se Karta e Identitetit lëshohet pa afat për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç. Ky projektligj u miratua me 94 vota pro, 8 kundër dhe 6 abstenim.

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, mbi dhurimin në fushën e shëndetësisë”, i cili u miratua me 99 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenim.

I fundit ishte projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi), dhe KFË Frankfurt AM Main (KfË) për programin e infrastrukturës bashkiake V, në shumën 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) euro”, për të cilin Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, z. Taulant Balla, në emër dhe të grupit, u shpreh se  huaja prej 80 milionë euro, merret në kuadër të Programit të Infrastrukturës Bashkiake V, baza e së cilës është marrëveshja e datës 11 tetor 2019, ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë mbi Bashkëpunimin Financiar. Ky program ka për qëllim të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të disa bashkive të vendit, të cilat janë përzgjedhur bazuar në prioritetet e Master planit Kombëtar të Ujësjellës-Kanalizimeve. “Qeveria gjermane vazhdon të mbështesë dhe të mbetet investuesi kryesorë në nivel bilateral në Shqipëri. Qeveria gjermane ka investuar në këto 30 vite mbi 1.1 miliardë euro dhe është në vendin e parë të financuesve të investimeve direkte në Shqipëri”, u shpreh z.Balla.  Ky projektligj u miratua me 95 vota pro, 6 kundër dhe 7 abstenim.

Seanca e sotme miratoi dhe 5 projektvendime, e më konkretisht: Projektvendimi “Për miratimin e planit vjetor 2021 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2017- 2021”, u miratua me 90 vota pro, 12 kundër dhe 6 abstenim; Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin e Kuvendit nr. 71/2020 “Për ngritjen e komisionit të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty për bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë”,  i cili u miratua me 89 vota pro, 11 kundër dhe 5 abstenim, si dhe 3 projektvendime për miratimin e zgjedhjes së z. Petrit Ruka, z.Mevlan Shanaj dhe znj.Ardita Reçi, si anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH. Kandidatura e z.Ruka u miratua me 90 vota pro, 12 kundër dhe 7 abstenim, kandidatura e z. Shanaj u miratua me 96 vota pro, 9 kundër dhe 3 abstenim, ndërsa kandidatura e znj. Reçi u miratua me 90 vota pro, 11 kundër dhe 8 abstenim. Po sot, seanca rrëzoi edhe Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11.942, datë 27.01.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik” me 86 vota kundër, 11 pro dhe 11 abstenim.

Edhe seanca e sotme plenare, në vijim të masave protokollare anti-Covid, u zhvillua në kushte të posaçme. 

 


Share