Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim projektligjin “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”
- Postuar më, 23/02/2021

23
shkurt 2021
Në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në cilësinë e komisionit përgjegjës në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi parimisht projektligjin “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”. Të ftuar për prezantimin e projektligjit ishin ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjoni, z. Besmir Beja, Drejtor i Kodifikimit në MD, si dhe z. Besart Kadija, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.
Ministrja
Gjoni gjatë prezantimit u ndal tek risitë e projektligjit dhe nevoja e përmirësimit
të kuadrit ligjor për OJF. “Ky
projektligj parashikon një procedurë më transparente në lidhje me aktivitetin e
OJF-ve, si dhe vendos modernizimin e shërbimeve por edhe të databazës në
drejtim të informacionit më të plotë për
çdo OJF që kryen aktivitet jofitimprurës në Republikën e Shqipërisë”,
parashtroi znj. Gjoni. Më tej ministrja e Drejtësisë sqaroi se qëllimi kryesor i
kësaj nisme është përmirësimi i kornizës ligjore ekzistuese dhe përcaktimi i rregullave më të thjeshtuara për regjistrimin OJF-ve dhe digjtalizimin e të
dhënave dhe arkivave të OJF-ve, për të mundësuar një sistem për shkëmbimin e
informacionit, çka sjell lehtësi për ofrimin e shërbimeve dhe uljen e kostove. Znj.Gjoni
theksoi se kjo nismë vjen dhe si deyrim për përmbushjen e rekomandimeve të raportit
të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër pastrimit të parave
dhe financimit të terrorizmit (MONEYVAL). “Në raport cilësohet ndër të tjera se
nuk ka asnjë dokument mbi praktikat më të mira që të jetë hartuar nga Shqipëria
me përfshirjen e OJF-ve, si dhe nuk janë ndërmarrë hapa për promovimin,
mbikëqyrjen e riskut ose monitorimin e OJF-ve”, sqaroi znj Gjoni.
Deputetja
Klotilda Bushka në cilësinë e relatores, parashtroi se projekligji ka ardhur në
momentin e duhur, pasi legjislacioni në fuqi daton që prej vitit 2001 dhe theksoi më tej se projektligji i është nënshtuar
një procesi të gjerë të konsultimit publik me një grup të gjerë të OJF, partnerë
ndërkombëtarë, si dhe institucione shtetërore
Pas
diskutimeve, pyetjeve dhe komenteve, komisioni miratoi në parim projektligjin “Për regjistrimin e organizatave
jofitimprurëse” . Mbledhja e sotme e
komisionit u zhvillua sërish përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.