Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mesazh për ndarjen nga jeta të Artistit të Merituar Agim Krajka: Iku kompozitori i rinisë dhe dashurisë
- Postuar më, 02/03/2021
Kryetari
i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh për ndarjen nga jeta të Artistit
të Merituar Agim Krajka.
“Agim Krajka është një ndër pionierët e muzikës shqiptare. Me
krijimtarinë e vet artistike, Krajka krijoi shkollën e vet origjinale muzikore,
si një harmonizim i muzikës së lehtë dhe muzikës popullore. Krajka ka shkruar
me mjeshtëri e finesë të lartë muzikën e valleve popullore nga të gjitha viset
shqiptare: jugu e veriu, ka shkruajtur valle
tropojane, dropullite e çame. Agim Krajka ishte dhe do të mbetet
kompozitori i të gjithë brezave, por mbi të gjitha krijuesi i muzikës e këngëve të rinisë dhe dashurisë.
Fitues i rreth 20 çmimeve artistike, Artist i Merituar dhe Nderi i Kombit, janë
njohja prej kulturës dhe kombit shqiptar i veprës unike dhe universale të
kompozitorit të talentuar e virtuoz Agim Krajka”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.