Komisioni për Integrimin Evropian miratoi një projektligj

  • Postuar më, 02/03/2021

2 mars 2021

Komisioni për Integrimin Evropian, në drejtimin e nënkryetares, znj. Senida Mesi, zhvilloi sot mbledhjen e radhës, në të cilën miratoi projektligjin “Për miratimin e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. E pranishme në mbledhjen e sotme të komisionit ishte zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave, znj. Vasilika Vjero dhe funksionarë të tjerë të lartë të ministrisë, si znj. Libohova dhe përfaqësues nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Zëvendësministrja Vjero prezantoi në komision projektligjin e ri. Ajo u shpreh se projektligji synonte përmirësimin e mëtejshëm të bazës ligjore në tregun e sigurimeve të detyrueshme, duke patur në vëmendje mbrojtjen e konsumatorit dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare. Zëvendësministrja sqaroi se ligji ekzistues datonte prej vitit 2011, e pas një faze të gjatë konsultimesh me grupet e interesit, duke u mbështetur në praktikat e vendeve fqinje si Kosova, apo edhe në vende si Kroacia dhe Italia, u vendos që të ishte koha e posaçme për të ndërmarrë përmirësimet në legjislacion duke sjellë një ligj të ri, sa si nevojë e zhvillimit të tregut, aq edhe në përputhje me angazhimet e AMF-së në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve të Komisionit Evropian.

Sipas zëvendësministres, projektligji synon të rregullojë mungesën e një platforme për zhvillimin afatgjatë të tregut, mungesën e iniciativës për transferim rreziku dhe mbrojtje konsumatorësh, numrin e ulët të sigurimeve të detyrueshme si edhe respekton marrëveshjet ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar. Zëvendësministrja Vjero u shpreh se projektligji rrit të gjithë efikasitetin e marrëdhënies të aktorëve në tregun e sigurimeve të detyrueshme, ul numrin e drejtuesve të mjeteve të transportit pa kontratat e sigurimit të detyurueshëm përmes masave administrative, zgjidh problemin e Byrosë dhe organizimit tërësor të saj, ul shpenzimet e marrjes së sigurimit për konsumatorët, rrit masën e dëmshpërblimit duke përbërë risi në këtë drejtim, përmirëson procedurat dhe afatet për dëmshpërblim nga ana e të gjithë kompanive dhe shkurton afate dhe ul shpenzimet për kërkesat për dëmshpërblim me anë të nënshkrimit të raportit evropian të aksidenteve. Në përfundim të paraqitjes së projektligjit, zëvendësministrja Vjero iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të pranishëm në mbledhjen e sotme, që gjithashtu shtruan edhe diskutimet e tyre për çështjen, së bashku me sugjerimet konkrete për çështje të caktuara të projektligjit. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e votoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin. 




Share