Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dhe shqyrtoi nen për nen përkatësisht dy projektligje

  • Postuar më, 02/03/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e sotme zhvilluar on line, mori në shqyrtim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit,  Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.

Të ftuar ishin z. Bledi Çuçi, ministër në Ministrinë e Brendshme dhe z. Juljan Hodaj zëvendësministër në MB. 

Për të prezantuar nismën, në emër të nismëtarëve, foli z. Sadi Vorpsi, i cili shpjegoi këto ndryshime, arsyet dhe qëllimin. Sipas z. Vorpsi, qëllimi i këtyre ndryshimeve është të përmirësojë efiçencën e proçesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik sipas parashikimeve  të Ligjit 12/20l8, të ndryshuar duke pezulluar procesin e vlerësimit kalimtar të  punonjësve të  Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës dhe duke e orientuar punën e Komisionit të Jashtëm të Vetingut në përfundimin së pari të proçesit të vlerësimit kalimtar për trupën vlerësuese të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. “Bazuar në raportimin e fundit të  KJV, që  kur ka filluar punën KJV deri në Dhjetor 2020 kanë përfunduar pocesin e Vlerësimit kalimtar vetëm 32 subjekte” detajoi z. Vorpsi. 

Z. Çuçi, në emër të Ministrisë së Brendshme shprehu dakortësinë e tij për këto ndryshime dhe theksoi se ato do të mundësojnë fokusimin dhe përmbylljen në  kohë të procesit të  Vetingut për trupën vlerësuese të Shërbimit për Cështjet e Brendshme dhe Ankesat,  e cila më tej, do të mund të shtrinte  objektin e Vlerësimit kalimtar dhe periodik në subjektet e tjera të ligjit. Gjilhashtu, ky ndryshim do të  mundësonte kohën e nevojshme që institucionet e përfshira të bënin një analizë më të thelluar të këtij proçesi dhe t‘i propozonin ligivënësit zgjidhje për një sërë problematikash të evidentuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. 

Më tej, komisioni vijoi me shqyrtimi nen për nen të projektligjit “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”. Në përfundim pas diskutimit për nene të veçanta të tij, komisioni vendosi miratimin në tërësi të tij, në mbledhjen e ardhshme. 


Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX


Share