Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin: “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”

  • Postuar më, 04/03/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e sotme zhvilluar on line, mori në shqyrtim në parim projekligjin “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”.

I ftuar për të bërë shpjegimin e projektaktit ishte z. Petro Koçi, zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili mes të tjerash lidhur me qëllimin e projektligjit shpjegoi se, arsyeja është krijimi i një sistemi efikas të kontrollit, mbikëqyrjes së tregut, vlerësimit të përputhshmërisë së artikullit piroteknik, përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të operatorëve ekonomikë, sipas rolit dhe përgjegjësisë së tyre në zinxhirin e furnizimit për vendosjen në treg të artikujve piroteknikë, në mënyrë që të garantohet përputhshmëria e tyre me kërkesat ligjore.

Znj. Antoneta Dhima, në cilësinë e relatores, shprehu dakortësinë e saj dhe theksoi se në këtë projektligj përcaktohet se, operatorët ekonomikë duhet të jenë përgjegjës për përputhshmërinë e artikujve piroteknikë me dispozitat e projektligjit, sa u përket roleve të tyre përkatëse në zinxhirin e furnizimit, në mënyrë që të sigurohet një nivel i lartë i mbrojtjes së interesave publikë, si shëndeti, siguria e personave e siguria publike, dhe për të garantuar konkurrencën e ndershme.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, anëtarët miratuan në parim projektligjin në fjalë. 


Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX


Share