U zhvillua mbledhja e komisionit për Ekonominë dhe Financat

  • Postuar më, 05/03/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Anastas Angjeli, komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi në cilësinë e komisionit përgjegjës Dekretin e Presidentit Nr. 11979, date 24.02.2021 për kthimin e ligjit nr. 16/2021 “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport”, sh.p.k., “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë”, ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004, të ndryshuar”. Të ftuar për këtë çështje ishin ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Belinda Balluku, z. Enea Karakaci drejtor Juridik në këtë ministri, z. Bledar Dervishaj këshilltar i Presidentit për Çështjet Ligjore, znj. Ketrin Treska drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Juridik në Presidencë, znj. Vasilika Vjero zëvendësministre e Financave dhe Ekpnomisë, z. Edmond Ahmeti drejtor i Koncesioneve në ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Znj. Treska në prezantim të këtij dekreti u shpreh se të dyja ministritë përgjegjëse kanë hezituar t’i përcjellin Kreut të Shtetit informacionin e plotë administrativ të krijuar gjatë procesit të paraqitjes dhe vlerësimit të kërkesës për ndryshime të kontratës koncesionare, negocimin, dakordësimin e kësaj nisme legjislative.

Ndërsa, relatori i çështjes z. Angjeli tha se komisioni e shqyrton dekretin vetëm për çështjet që janë paraqitur në arsyetim për kthimin e ligjit nga presidenti i Republikës dhe më tej relatori shtoi se ky ligj nuk ka prekur interesin publik, nuk është prekur qëndrueshmëria financiare, nuk është shkelur barazia para ligjit dhe akti i paraqitur është në përputhje me Kushtetutën dhe Legjislacioni në fuqi.

Ministrja Balluku nw fjalwn e saj theksoi se ky akt është kontratë koncesionare dhe negociata është bërë për më shumë se një vit dhe ka qenë e hapur si edhe gjithashtu janë mbajtur hap pas hapi të gjitha të dhënat nga çdo takim që është bërë dhe sigurisht qe gjithë procesi ka pasur transparencë.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e rrëzuan me votë Dekretin e Presidentit të Republikës.

Më tej, mbledhja e komisionit vazhdoi me shqyrtimin ne cilësinë e komisionit për dhënie mendimi i projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut".

Të ftuar për këtë çështje ishin z. Besart Kadia zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, znj. Joniada Bajraba drejtoresha e Integrimit , Koordinimit dhe Marrëveshjeve, nga ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Agron Tare zëvendësministër, nga ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural znj. Ermira Gjeci zëvendësministre.

Zëvendësministri Tare në prezantim të këtij projektligji, u shpreh se ka për qëllim ratifikimin nga Kuvendi të marrëveshjes së tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, miratuar, në parim, me vendimin nr.1036, datë 16.12.2020, të Këshillit të Ministrave, dhe më datë 5.2.202.

Pas diskutimeve, pyetjeve, përgjigjeve dhe komenteve të ndryshme, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Po ashtu, mbledhja e sotme e komisionit zhvilloi edhe një seancë dëgjimore me kandidatët e vetë ofruar për pozicionin e anëtarit te Bordit te Mbikëqyrjes Publike.

Kandidatët e vetë ofruar ishin z. Ervin Koci, z. Klement Mersini, z. Julian Naqellari, z. Gjergji Duro, ku prezantuan para komisionit eksperiencën profesionale dhe arsyet e kandidimit në këtë post, përveç z. Klement Mersini i cili e kishte të pamundur lidhjen në këtë mbledhje për arsye teknike.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës së komunikimit online “Cisco Webex”.


Share