Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8378, dt 22.7.1998 "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë"

  • Postuar më, 24/03/2021

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin  "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8378, dt 22.7.1998 "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar". Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Etjen Xhafaj, z. Blendi Gonxhe drejtor i Përgjithshëm DPSHTRR si edhe z. Thimjo Plaku dhe z. Enea Karakaci përfaqësues nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Mitat Tola Shef Sektori i Policisë Rrugore etj.

Zëvendësministri Xhafaj në prezantim të këtij projektligji u shpreh se qëllimi kryesor i projektligjit është përmirësimi i dispozitave të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë dhe synon të bëjë të aplikueshme kërkesat e këtij Kodi në raport me zhvillimet e transportit rrugor, për një parandalim më efikas të aksidenteve rrugore, si dhe ndjekjen e tendencave pozitive të legjislacioneve rrugore të vendeve të BE-së.

“Projektligji i propozuar synon të ripërcaktojë afatet dhe frekuencën e kryerjes së kontrolleve teknike të mjeteve të reja rrugore dhe të përdorura në përputhje me ato të përcaktuara nga direktiva Evropiane 2014/45/EC.”,-theksoi ndër të tjera z. Xhafaj.

Gjithashtu, lidhur me këtë projektligj u zhvillua një dëgjesë me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë, ku të ftuar ishin z. Dritan Celaj Kryetar i Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, znj. Anila Hoxha Drejtore Ekzekutive e BSHS-së, z. Edvin Libohova Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë (SHSSH) etj, ku u diskutuan ndryshimet në këtë projektligj bazuar mbi pyetje, komente e sugjerime të ndryshme.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës së komunikimit online “Cisco Webex”.

 


Share