Komisioni për Integrimin Europian miratoi ndryshimet në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”
- Postuar më, 24/03/2021

24 mars 2021
Në drejtimin e nënkryetares, znj. Senida Mesi,
Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe
ndryshime në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së
Shqipërisë”, të ndryshuar”. Të ftuar në
mbledhjen e komisionit për prezantimin e nismës ligjore ishin: z.Etjen Xhafaj,
zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Blendi Gonxhe, Drejtor i
Përgjithshëm DPSHTRR, z. Edvin Libohova, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së
Siguruesve të Shqipërisë, si dhe përfaqësues
nga MIE dhe Policia Rrugore.
Zëvendësministri Xhafaj gjatë prezantimit u
ndal tek risitë dhe objektivat që synohen të arrihen përmes përmirësimit të
dispozitave të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Z.Xhafaj sqaroi se ndryshimet
në këtë projektligj kanë të bëjnë me ndryshimet e rëndësishme në zhvillimin e
rrjetit rrugor, përhapjen dhe zhvillimin e sistemeve të sinjalizimeve rrugore
vertikale dhe horizontale, futjen e teknologjive digjitale në ndërthurje me sistemet
klasike. “Përmes këtyre propozimeve do të arrihet një ulje e kostove për
qytetarët, por pa rritur kostot e institucioneve, rritje e cilësisë dhe
shpejtësisë së ofrimit të shërbimit për qytetarin, deburokratizimi i
procedurave administrative dhe rritja e efiçencës së menaxhimit të
dokumentacioneve dhe të të dhënave” theksoi z.Xhafaj.
Pas diskutimeve, pyetjeve dhe sugjerimeve të
ndryshme, komisioni miratoi në parim dhe në tërësi projektligjin në fjalë. Mbledhja
e sotme e komisionit u zhvillua nëpërmjet platformës së komunikimit online
“Cisco Webex”.