Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 25/03/2021

24 mars 2021 


Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares, znj. Mimi Kodheli, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi miratoi dy projektligje: "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve (DKTI)” dhe projektligji "Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Projektligjin "Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës" e paraqiti për komisionin ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj. Ajo e cilësoi si pikë historike marrëveshjen e ekstradimit, të dakordësuar në 22 dhjetor 2020 e të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Ky traktat, bëri me dije ministrja, zëvendëson traktatin dypalësh, 87-vjeçarin, të nënshkruar në vitin 1933 nga ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA, z. Faik Konica e që hyri në fuqi në 1935-n. Produktin përfundimtar znj. Gjonaj e konsideroi si rezultat të punës mes eksperteve te dy qeverive, ku përtej faktit që kishte diskutime, nuk përfundohej nga pala shqiptare. Ky traktat i ri realizon zgjerimin e kategorisë së veprave penale, në bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë edhe krimin tatimor, financiar, doganor, korrupsion, krimin mjedisor, krimin informatik, me theks në çdo vepër që dënohet më rëndë se 1 vit, me përjashtim të veprave penale me karakter politik. Projektligjin e relatoi z. Adnor Shameti i cili dha mbështetjen e tij dhe u shpreh i kënaqur që përmes kësaj marrëveshje mbyllet diskutimi dhe skepticizmi tekniko-shkencor për vlefshmërinë e traktatit të vitit 1933. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni e miratoi këtë projektligj.

Znj. Lindita Sotiri, drejtore e Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit për Furnizim me Ujë, Kanalizime dhe Infrastrukturën e Mbetjeve në Ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës, ishte e pranishme në komision për të paraqitur projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve (DKTI)”. Bisedimet qe prej vitit 2018, se fundmi u arrit marrëveshja ku angazhohet qeveria shqiptare per nje kredi prej 50 mln e shoqëruar me nje grant investimesh prej 6.9 mln euro si dhe asistence teknike ne forme granti prej 5 mln euro. Projekti nënkupton dhënien e kontributit për një menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta përmes investimeve në infrastrukturën e mbetjeve të ngurta dhe mbështetjen institucionale, për dhënien e një shërbimi të përmirësuar në zonat e ndryshme të mbetjeve. Projektligji u relatuar për komisionin nga deputeti Andrea Marto dhe pas pyetjeve dhe diskutimeve gjeti miratim.

Në vijim të masave protokollare anticovid, mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, Cisco Webex. 


Share