Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi ndryshimet në Kodin Rrugor, si dhe raportin e veprimtarisë së ILD për vitin 2020

  • Postuar më, 25/03/2021

25 mars 2021

Në drejtimin e kryetarit z. Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.  Të ftuar në mbledhjen e komisionit për prezantimin e nismës ligjore ishin: z. Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, z. Blendi Gonxhe, Drejtor i Përgjithshëm DPSHTRR,  si dhe përfaqësues nga MIE dhe Policia Rrugore.

Zëvendësministri Hodaj gjatë prezantimit u ndal tek risitë dhe objektivat që synohen të arrihen përmes përmirësimit të dispozitave të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Z.Hodaj theksoi se ndryshimet ligjore synojnë të bëjnë të aplikueshme kërkesat e këtij Kodi në raport me zhvillimet e transportit rrugor, për një parandalim më efikas të aksidenteve rrugore, si dhe ndjekjen e tendencave pozitive të legjislacioneve rrugore të vendeve të BE-së. Zëvendësministri Hodaj sqaroi më tej në mënyrë të detajuar ndryshimet në Kod për sa i përket normave të sjelljes së drejtuesve të automjeteve, ashpërsimit të masave administrative ndaj shkelësve të rregullave të sigurisë rrugore, mënyrës së veprimit në raste aksidentesh dhe sjelljeje ndaj këmbësorëve e drejtuesve të mjeteve, etj. Pas diskutimeve, pyetjeve dhe sugjerimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Më pas në cilësinë e komisionit përgjegjës, komisioni shqyrtoi Raportin e veprimtarisë vjetore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për vitin 2020, i cili u paraqit përpara deputetëve nga z.Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Gjatë paraqitjes së raportit z.Metani bëri një rezume të sfidave, problematikave dhe arritjeve të ILD-së gjatë vitit të parë të krijimit. Një nga problemet kryesore, sipas kreut të ILD-së është mungesa në burime njerëzore për inspektorë gjyqtarë magjistratë. Relatori i raportit, z. Adnor Shameti, vlerësoi punën e bërë nga ILD, pavarësisht vështirësive të hasura si një institucion i sapokrijuar. “ILD ka miratuar 8 vendime për fillimin e hetimit disiplinor për 2 prokurorë dhe 6 gjyqtarë”, detajoi z.Shameti. 

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua nëpërmjet platformës së komunikimit online “Cisco Webex”.


Share