Prezantohen raportet e kontrollit post-legjislativ të HUGEN, përshëndet tryezën Zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Vasilika Hysi

  • Postuar më, 08/04/2021

Rrjeti i Komisioneve për të Drejtat e Njeriut dhe Barazinë Gjinore në Ballkanin Perëndimor në bashkëpunim me WDF-në (Westminster Foundation for Democracy) dhe në mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë organizoi një një webinar për prezantimin e raporteve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor. Parlamenti i Malit të Zi, parlamenti i Shqipërisë, federata e Bosnje-Hercegovinës dhe Asambleja Kombëtare e Serbisë, prezantuan raportet e tyre lidhur me kontrollin post-legjislativ në lidhje me legjislacionin gjinor (Mal i Zi, Shqipëri, Bosnje), ose në lidhje me legjislacionin për personat me aftësi të kufizuar (Mali i Zi dhe Serbia). Këtë aktivitet e përshëndeti edhe Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, e cila vlerësoi faktin që rrjeti, pavarësisht vonesave të ndonjë parlamenti, që lidheshin me pandeminë ose zgjedhjet përkatëse, i kishte përmbushur aktivitetet e planifikuara. Znj. Hysi vlerësoi trajnimin e parlamentarëve dhe stafeve parlamentare. Ajo shtoi se bazuar në rekomandimet e raporteve përkatëse, kishte nevoja që edhe shumë ligje të tjerë të vlerësohen nën të njëjtën praktikë dhe se ligjet e përzgjedhura për kontroll postlegjislativ do të duhet të shërbenin si modele për përmirësime të nevojshme, si edhe kjo praktikë do të duhej reflektuar për ligje dhe komisione të tjera parlamentare. Zëvendëskryetarja Hysi e cilësoi nisje të mirë praktikën e kontrollit postlegjislativ përmes kontrollit për çështje me ndjeshmëri në jetën e përditshme. Në kuadër të masave antiCovid, tryeza e djeshme u zhvillua në formë webinari përmes platformës elektronike të komunikimit, Zoom.


Share