Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Ashures: Një kumt miqësie, solidariteti e paqeje

  • Postuar më, 19/08/2021

Me rastin e Ditës së Ashures, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka uruar sot besimtarët bektashinj. 


“Dita e Ashures është një ndër ditët që shënojnë shfaqjen e virtyteve më të mira të bektashinjve; është një sintezë e vlerave njerëzore; një simbol i bashkimit dhe përpjekjeve për të kontribuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve. Nëpërmjet kremtimit të kësaj feste, besimtarët bektashinj u dërgojnë të gjithë kombeve e popujve një kumt miqësie dhe solidariteti; për të respektuar dallimet dhe diversitetin; për të ndarë bashkarisht gëzimet dhe dëshpërimin, të mirën dhe të keqen, përfitimet dhe  përgjegjësitë, arritjet dhe mundimet, pasurinë dhe skamien,  bekimet dhe vështirësitë e jetës së përditshme. Vlerat bektashiane marrin vlera të veçanta në botën e sotme të trazuar edhe nga konfliktet etnike  e fetare. Drita dhe mësimet e paqta të besimit u kundërqëndrojnë ekstremistëve, terroristëve dhe forcave të errësirës. T’i lexojmë të gjithë këto mësime të Bektashizmit! ”, shkruan në mesazhin e urimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.




Share