Kuvendi u mblodh në seancë plenare, miratoi projektvendimin “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së këshillit të Ministrave”

  • Postuar më, 17/09/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Lindita Nikolla, kuvendi u mblodh në seancë plenare. 

Znj. Nikolla në fjalën hapëse të kësaj seance, kërkoi që të vijohej me procesin e vaksinimit të deputetëve, duke u kërkuar të gjithë të pranishmëve që të vaksinohen sa më shpejt, duke dhënë kështu një shembull të mirë dhe sensibilizues për qytetarët.

Seanca filloi me shqyrtimin e projektvendimit “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”, ku nisi paraqitjen e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave sipas nenit 110, pika 1 të Rregullores, nga Kryeministri i emëruar me dekretin nr. 13.213 datë 14.09.2021 të Presidentit të Republikës.

Kryeministri z. Edi Rama, i cili prezantoi në mënyrë shteruese dhe të qartë gjithë programin qeverisës, gjatë fjalës së tij u shpreh se pikë e fortë këtë herë e qeverisë se re, është edhe përfaqësimi i kabinetit të ri nga shumë femra ministre.

“Përbërja e grave në qeverisje ka qenë pasqyra e rritjes së vazhdueshme të rritjes së numrit të tyre në Kuvend. Kjo është një nga gjërat me rëndësi që edhe koha iu jep më shumë rëndësi. Për këtë besoj se ky Kuvend do të marrë një nga shumë faqet e bukura. Shqipëria renditet në vend të parë për numrin e grave në qeveri, ka qëndruar në 5 vendet e para më herët.”, theksoi z. Rama në fjalën e tij.

Po ashtu, Kryeministri tha se infermierët, mësuesit, edukatorët do të kenë rritje page 40%, ndërsa për punonjësit e administratës paga do të rritet 30%, si edhe prezantoi pikat e tjera te programit qeverisës mbi ndërtimin e porteve, aeroporteve, rritjen e eksportit, ekonomisë, etj.

Pas përfundimit të fjalës së kryeministrit, deputetët mbajtën 1 minutë heshtje në nderim të mjekëve që humbën jetën nga Covid-19 në Shqipëri.

Pjesa e dytë e seancës, vazhdoi me përgjigjet e pyetjeve te depozituara në Kuvend për Kryeministrin dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave sipas nenit 110, pika 3 e rregullores.

Në pjesën e tretë sipas rendit të ditës, seanca vazhdoi me debatin mbi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave sipas nenit 110, pika 4 e Rregullores.

Pas diskutimit dhe fjalimeve të deputetëve, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike u shpreh z. Alfred Rushaj, i cili tha se grupi që ai përfaqëson paraqiti në parlament pikëpamjet e tyre shteruese dhe pse janë kundër, për programin e ri qeverisës.

“Ky dokument nuk është gjë tjetër veçse lista e rradhës e premtimeve të cilat sigurisht nuk do të realizohen. Për këtë arsye, grupi parlamentar i partisë Demokratike do të votojë kundër kësaj qeverie, do të votojë kundër këtij programi.”- theksoi z. Rushaj në fund të fjalës së tij.

Ndërsa, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh z. Taulant Balla, i cili vuri në dukje se ky program i ri qeverisës garanton seriozitetin e marrëdhënies me qytetarët, si edhe ftoi deputetët ta votonin atë në të mirë të Shqipërisë dhe për të mirën e përbashkët të këtij vendi.

“Natyrshëm, është një program që e çon Shqipërinë shumë më pranë destinacionit dhe aspiratës sonë historike, anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”- u shpreh z. Balla.

Në emër të grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, foli z. Dashamir Shehi. Në fjalën e tij z. Shehi tha se gjatë diskutimit të programit të ri qeverisës ato që janë paraqitur nuk janë reale, duke bërë kështu edhe disa krahasime të programit të ri me 8 vitet e mëparshme të qeverisjes.

Së fundmi, parlamenti votoi programin qeverisës me 77 vota pro, 52 kundër dhe 1 abstenim.

Kryetarja e Kuvendit znj. Nikolla falenderoi deputetët për qëndrimin dhe kontributin e dhënë në këtë seancë maratonë për kuvendin dhe tepër të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë.

Pas gati 20 orë diskutimesh, seanca i  mbylli punimet rreth orës 06.30.


Share