Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli merr pjesë në punimet vjetore të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe rizgjidhet zëvendëspresidente e saj

  • Postuar më, 12/10/2021

Në datat 8-11 tetor 2021, në Lisbonë u zhvillua Sesioni Vjetor i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, takim gjatë të cilit znj. Mimi Kodheli u rizgjodh në mënyrë unanime zëvendës-presidente e kësaj Asambleje.

Komisionet zhvilluan mbledhje gjatë dy ditëve të para të aktivitetit duke diskutuar dhe analizuar raportet dhe rezolutat e përgatitura nga raporterët. Të ftuar ishin ekspertë të fushës si dhe krerët e politikës portugeze.

Po ashtu Sesioni vjetor përmbylli punimet e tij me seancën plenare drejtuar nga Presidenti i AP NATO Kongresmeni Gerry Connolly, në të cilën ishin të ftuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Jens Stoltenberg, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan znj. Nancy Pelosi, Kryetari i Parlamentit, Kryeministri dhe Presidenti portugez si dhe Dr. Karen Donfrey, Ndihmësekretare e Shtetit për Europën dhe Azinë në Departamentit e Shtetit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA znj. Nancy Pelosiu u shpall fituese e çmimit “Women for Peace and Security 2021”, një çmim i dhënë për herë të parë nga Asambleja. Gjatë fjalimit të saj si e ftuar speciale e këtij sesioni në Lisbonë znj. Pelosi tha se prioritizimi i edukimit të grave mbetet një prej shtyllave drejtuese të punës së saj të përditshme. Ajo përfundoi duke thënë se ShBA beson se gratë mund t’ja dalin dhe prandaj ShBA ja del.

Diskutimet e këtij sesioni u përqëndruan në tema si Afganistani, Koncepti Strategjik i NATO 2030, situata post elektorale në Rusi si dhe situata  në Lindjen e Mesme.



Share