Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Ministren e Mbretërisë së Bashkuar për Evropën, znj.Wendy Morton: Bashkëpunimi shumë i mirë dypalësh po zgjerohet

  • Postuar më, 12/10/2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Ministren e Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Amerikat, deputeten Wendy Morton, e cila ndodhet në Tiranë në një vizitë zyrtare. Kryetarja Nikolla vlerësoi bashkëpunimin dypalësh gjatë viteve të fundit, konkretizuar në disa vizita të nivelit të lartë, dhe vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë në fushën e drejtësisë, sidomos ndihmën e qeverisë britanike  për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të qënieve njerëzore, imigracionit të paligjshëm dhe avancimin e reformave ekonomike. “Reforma e suksesshme në drejtësi po vazhdon të avancojë. Aktualisht ka lindur nevoja e zgjatjes së mandatit të organeve të vettingut dhe ne kemi besim se për këtë çështje do të kemi edhe mbështetjen e opozitës. Me opozitën do të bashkëpunojmë edhe për avancimin dhe thellimin e reformës zgjedhore dhe reformave të tjera. Unë jam e vendosur për të ndërtuar një klimë të re të bashkëpunimit me opozitën.”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla. Ministrja Wendy Morton uroi znj. Nikolla për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe e falenderoi për vlerësimin dhe vullnetin e  Shqipërisë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh me Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe. Bashkëpunimi e mbështetja do të vazhdojë, sidomos për konsolidimin e institucioneve demokratike,  forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, trafiqeve, krimit të organizuar etj.

 

 


Share