Zhvillohet Mbledhja e posaçme e drejtuesve të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të Shkollës së Magjistraturës për zgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të KLP dhe KLGJ

  • Postuar më, 13/10/2021

12 tetor 2021

Drejtuesit e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të Shkollës së Magjistraturës zhvilluan në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, mbledhjen e posaçme për zgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Mbledhja e thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z.Genci Gjonçaj u drejtua nga Dekani i Fakulteti të Drejtësisë në Universitetin Mesdhetar të Tiranës, z. Ksenofon Krisafi, ndërkohë që të pranishëm të tjerë ishin: Zëvendëskryetari i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës z. Olsion Çela, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës z. Arben Rakipi, rektorët e IAL-ve që ofrojnë programe studimi në drejtësi, si dhe dekanët e fakulteteve të drejtësisë.

Në nisje të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z.Gjonçaj, vlerësoi kontributin direkt të përfaqësuesve të botës akademike në reformën në sistemin e drejtësisë. “Duke e konsideruar si një detyrë me shumë rëndësi zgjedhjen e anëtarëve të këtyre këshillave me qëllim mirëfunksionimin e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, është e nevojshme që sinergjizimi ynë si aktorë në këtë proces, të jetë garant për një proces të rregullt, ligjor dhe në respektim të afateve që ngarkon ligji”, u shpreh z.Gjonçaj.

Kandidatë për anëtarë të KLP ishin: Mirela Bogdani, Idlir Duhanxhi, Alban Koçi, Endri Papajorgji, Yllka Rupa, Ilir Rusi, Indrit Shtupi dhe Sajmir Vishaj, ndërsa kandidatë për anëtarë të KLGJ ishin: Idlir Duhanxhi, Alban Koçi, Orjona Muçollari, Endri Papajorgji, Yllka Rupa, Ilir Rusi dhe Indrit Shtupi. Kandidatët e propozuar nga IAL-të publike dhe private prezantuan platformat e tyre, si dhe ju përgjigjën pyetjeve të ndryshme të drejtuara nga rektorët dhe dekanët e pranishëm.

Pas prezantimit të platformave, trupa e pedagogëve procedoi me votimin e fshehtë për kandidatët për anëtarë të KLP-së dhe anëtarë të KLGJ-së, si dhe bëri vlerësimin për secilin kandidatë. Përfaqësuesit e IAL-ve publike dhe të Shkollës së Magjistraturës votuan dhe vlerësuan kandidatët nga IAL-të publike, ndërkohë që përfaqësuesit e IAL-ve jopublike votuan për kandidatët nga IAL-të jopublike.

Në përfundim të procesit të votimit dhe vlerësimit, drejtuesi i mbledhjes z.Krisafi, bëri një përmbledhje të rezutateve dhe votimit dhe vlerësimit për secilin prej kandidatëve. 

 


Share