Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me OSBE dhe ILDKPKI, zhvilluan një trajnim për deputetët e rinj, mbi Konfliktin e Interesit

  • Postuar më, 18/10/2021

Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me OSBE në Shqipëri, zhvilluan një trajnim orientues për deputetët e rinj, me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Fokusi i këtij trajnimi, i cili do të zgjasë dy ditë, do të jetë deputeti dhe konflikti i interesit, mekanizmat parandaluese, trajtues dhe zgjidhës të konfliktit të interesave, si edhe deklarimi i pasurive nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Në këtë trajnim mori pjesë zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Ermonela Felaj, zëvendëskryetarja  e Prezencës së OSBE në Shqipëri znj. Clarisse Pasztory, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, z. Genci Gjonçaj, Ekspertë nga Inspektorati i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) z. Flori Karaj, znj. Adela Tagani dhe znj. Majlinda Thomaj.

Zëvendëskryetarja znj. Felaj, në fjalën e saj përshëndetëse foli për eksperiencën dhe përvojën e saj si deputete në katër legjislatura, por edhe si ish-Kryetare komisioni parlamentar, si dhe theksoi rolin dhe përgjegjësitë e statusit të deputetit, si edhe detyrimet në këtë pjesë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit z. Gjonçaj, uroi deputetët për zgjedhjen tyre në këtë funksion të lartë shtetëror dhe garantoi nga ana e tij mbështetjen e nevojshme për ta, nga administrata e Kuvendit në shërbim të punës dhe mbarëvajtjes së saj.

Eksperti i ILDKPKI z. Flori Karaj filloi trajnimin duke parashtruar kuadrin ligjor për parandalimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu, z. Karaj foli për interesat private për deklarim si të drejtat dhe detyrimet pasurore të çdo lloj natyre, marrëdhëniet juridiko-civile, angazhime në veprimtari private, si edhe shpjegoi llojet e interesave të vazhdueshëm që bëhen shkak për konflikt të vazhdueshëm siç janë pronësi mbi aksione apo pjesë në kapital etj.

Për më tepër, edhe dy ekspertet e tjera të ILDKPKI znj. Tagani dhe znj. Thomaj, shpjeguan konceptin e papajtueshmërisë, ndalimet për deputetin, por edhe ndalimet e personit të lidhur me deputetin nga lidhjet familjare, por edhe përjashtimet  e tyre.

Për të vazhduar, një pjesë të madhe të vëmendjes mori edhe shpjegimi i procedurave për trajtimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit, ku u fol mbi Kodin e procedurës Penale dhe asaj Civile për proceset gjyqësore civile dhe penale, Kodin e Procedurave Administrative për organet publike, u diskutua për Kushtetutën kur konflikti lidhet me deputetin etj.

Pjesë e diskutimeve mbi të drejtat, detyrimet dhe përfitimet që rrjedhin nga statusi i deputetit, u bën edhe shërbimet e Kuvendit si shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve, shërbimi i Financës, shërbimi i Marrëdhënieve me Jashtë në funksion të delegacioneve Parlamentare dhe grupeve të miqësisë, etj.

Aktiviteti vazhdoi me pyetje nga ana e deputetëve në formë bashkëbisedimi me trajnuesit.

Ky aktivitet u zhvillua me prezencë fizike të pjesëmarrësve.

 


Share