Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dy projektligje

  • Postuar më, 19/10/2021

19 tetor 2021

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e tij të radhës, mori në shqyrtim dy projektligje, njërin prej të cilëve e miratoi vetëm parimisht.  

Pas miratimit për futjen në programin e punës të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë COVID-19”, në cilësinë e komisionit përgjegjës u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për bashkëqeverisjen”. Të ftuar në mbledhjen e komisionit për të prezantuar nismën dhe përgjigjur pyetjeve të deputetëve ishin: znj. Elisa Spiropali, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj.Eridana Çano, Drejtoreshë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje .

Ministrja Spiropali sqaroi për komisionin qëllimin dhe risitë e projektligjit, të cilin e cilësoi një mekanizëm të fuqishëm demokratik në duar të qytetarëve.  “Ky projektligj nuk është vetëm derë që hapet pas çdo ankese dhe pas çdo kërkese të qytetarëve, por edhe një derë ku mund të trokasë cilido që ka një mendim apo iniciativë në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, u shpreh znj.Spiropali, duke sqaruar më tej se projekt-akti përbën një nismë për rikonceptimin dhe riorganizimin institucional të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Në përfundim ministrja theksoi se projekt-akti mundëson unifikimin e ankesave të qytetarëve dhe rritje të transperencës së punë së administratës publike, çka ndihmon qytetarët në marrjen e shërbimeve sa më cilësore. Znj.Bushka në cilësinë e relatores së projektligjit shtoi se nisma synon krijimin e mekanizmave ligjorë altrenativë që u jepen si mjete qytetarëve për të adresuar shqetësimet dhe ankesat e tyre dhe nuk bie ndesh me mekanizmat aktualë që parashikon legjislacioni në fuqi. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi parimisht projekt-ligjin në fjalë me 12 vota pro dhe 6 kundër.

Rendi i ditës së komisionit vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut  për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.   Z. Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm, gjatë prezantimit të projekt-ligjit për komisionin, sqaroi se bëhet fjalë për një marrëveshje kuadër, e cila është iniciuar duke marrë parasysh fluksin në rritje të qarkullimit të shtetasve dhe mallrave ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, vullnetin për të forcuar dhe zhvilluar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, si dhe synimin për arritjen e objektivave për përmirësimin e infrastrukturës së transportit rajonal e evropian. Z.Mahila theksoi se marrëveshja është përpiluar me asistencën dhe ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë të misionit PAMECA dhe do të ndihmojë në forcimin e menaxhimit të integruar të kufijve.  Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

 


Share