Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje dhe shpalli vakancat që priten të krijohen në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës të Shqipërisë

  • Postuar më, 18/11/2021

18 nëntor 2021

 

Në drejtimin e kryetarit z.Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat, në mbledhjen e tij të radhës pas miratimit të procesverbalit 3- javor të punës së komisionit, në cilësinë e komisionit përgjegjës shpalli vakancat që priten të krijohen në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës të Shqipërisë dhe miratoi procedurën paraprake për përzgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të këtij këshilli.

Rendi i ditës së komisionit vijoi me shqyrtimin në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi të projektligjeve: “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut-Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe hartimit në nivel përfundimtar dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave, ratifikuar me ligjin nr.86/2016”.

Për projektligjin e parë të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: z.Armand Skapi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe znj.Anis Lamllari, këshilltare në këtë ministri, ndërkohë që relatore për komisionin ishte deputetja Enslemvera Zake.

Z.Skrapi bëri një prezantim të projektligjit duke sqaruar se kjo marrëveshje financimi u nënshkrua për palën shqiptare nga koordinatori kombëtar i fondeve IPA në Shqipëri, njëkohësisht Kryenegociator, në datën 25 qershor 2021 dhe nga ana e koordinatorit kombëtar të fondeve IPA në Maqedoninë e Veriut në datën 9 dhjetor 2020. Alokimet e vitit 2020 për këtë program financohen nga një grant i Bashkimit Europian nëpërmjet instrumentit IPA II me një vlerë prej 1 530 000 euro për të dyja vendet, pa përfshirë këtu bashkëfinancimin kombëtar të të dy shteteve.  “Kontributi total që do të japë BE-ja për zbatimin e përbashkët të programit Maqedonia e Veriut - Shqipëri, për periudhën 2014-2020, arrin vlerën 11 900 000 euro”, nënvizoi z.Skrapi, duke sjellë në vëmendje se 6 marrëveshje të tjera financimi janë konkluduar ndërmjet vendit tonë, Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Europian për të njëjtin program për alokimet e viteve nga 2014-2019.  Në cilësinë e relatores znj. Enslemvera Zake vlerësoi se realizimi i marrëveshjes shërben zhvillimit social-ekonomike të zonave ndërkufitare dhe rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta konkretisht në Maqedoni, rajoni i Pelagonias, rajoni i Pologut dhe ai Jug-Perëndimor. Znj.Zake theksoi se nga ky program në Shqipëri do të jenë përfitues  Qarku Dibër, Qarku Elbasan dhe Rajoni i Korçës, si dhe nga programi do të gjenerohen projekte që synojnë: nxitjen e turizmit; rritjen e tregtisë dhe investimeve në këto qarqe, si dhe mbrojtjen e mjedisit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Për projektligjin e dytë të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin znj.Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, stafi teknik i kësaj ministrie, si dhe përfaqësues nga ARRSH.  Gjatë prezantimit të projektligjit znj. Muçaj u shpreh se ndryshimi i marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për realizimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe projektimit në nivel përfundimtar si dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave synon të kontribuojë për përmirësimin dhe forcimin e planifikimit të rrjetit kryesor rrugor shqiptar gjatë akseve të Korridorit VIII dhe forcimin e potencialit të zhvillimit social – ekonomik të Shqipërisë dhe të vendeve fqinje. Sipas znj.Muçaj projekti do të ndihmojë në realizimin e një rrjeti rrugor efikas kombëtar që favorizon shkëmbimet e udhëtarëve dhe të mallrave me vendet kufitare dhe me pjesën tjetër të Evropës,  por  edhe në brendësi të Shqipërisë. Nëpërmjet zbatimit të këtij programi do të bëhet e mundur që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të ketë instrumente projektuese për realizimin e rrugës Elbasan- Qukës dhe të by-pass-it të Beratit. Deputetja Antoneta Dhima në cilësinë e relatores vlerësoi projektligjin e propozuar duke theksuar rëndësinë që paraqet kjo marrëveshje për vijimin e zbatimit të projekteve për përfundimin e veprave infrastrukturore të përcaktuara në marrëveshje. Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share