Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2022”

  • Postuar më, 18/11/2021

18 nëntor 2021

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës vijoi me shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022” . Deputeti Alqi Bllako, në cilësinë e bashkërelatorit të projektbuxhetit 2022, bëri një përmbledhje të propozimeve që do ti dërgohen komisionit përgjegjës për disa shtesa apo rialokime të zërave të veçantë buxhetorë të disa prej institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të pavarura të krijuara me ligj, të cilat shfaqën kërkesa për shtesa fondesh për investime apo shtesë strukturash gjatë dëgjesave që u zhvilluan nga komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut brenda fushës së tij të përgjegjësisë.

Z.Bllako ndër të tjera renditi:  shtesë në zërin e shpenzimeve kapitale në vlerën 15 milion lekë për Gjykatën Kushtetuese, nga të cilat 5 milion lekë për financimin e projektit të digjitalizimit të arkivës së institucionit dhe 10 milion lekë për rikonstruksionin e godinës; për Prokurorinë e Përgjithshme shtesë strukture për 20 punonjës më shumë në vitin 2022; për Shkollën e Magjistraturës të planifikohen fondet e nevojshme në zërin e investimeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit në masën 576 milion lekë, për ndërtimin e godinës së këtij institucioni; për KLGJ financimin e hartimit të projekt zbatimit për ndërtimin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Tiranës, si dhe financimin e sistemit të ri elektronik për menaxhimin e çështjeve; për SPAK shtesa në zërin e mallrave dhe shërbimeve në vlerën 20 milion lekë ashtu dhe për zërin e investimeve në vlerën 10 milion lekë; për shtesën e kërkuar nga Presidenca për digjitalizimin e arkivës të bëhet një shpërndarje fondesh në tre vitet në vijim, ku për 2022 shtesa në zërin e investimeve duhet të jetë 10 milion lekë, etj. Pas diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi, me 14 vota pro dhe 7 kundër, projektligjin “Për buxhetin e vitit 2022” . 


Share