Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti delegacionin e Komisioneve të Mbrojtjes së Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë: Fqinje dhe mike e çmuar, partnere e ngushtë në NATO, mbështetëse e vendosur e rrugëtimit evropian të Shqipërisë

  • Postuar më, 18/11/2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti delegacionin e Komisioneve të Mbrojtjes së Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë, të kryesuar nga Senatore  Roberta Pinotti, Kryetare e Komisionit te Mbrojtjes në Senat, dhe Deputeti Gianluca Rizzo, Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Dhomën e Deputetëve. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci, si edhe përfaqësues të Guardia di Finanza në Shqipëri.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, vlerësoi lart bashkëpunimin midis të dy vendeve, të cilit i dha një impuls të ri edhe vizita e djeshme e Kryeministrit Edi Rama në Romë dhe takimi me Kryeministrin Mario Draghi. Znj. Nikolla vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë midis Kuvendit dhe Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të zgjerohet në të ardhmen.

“Italia është një fqinje dhe mike e çmuar e Shqipërisë, mbështetëse e fuqishme e zhvillimit të vendit dhe konsolidimit të demokracisë, partnere e ngushtë në NATO, mbështetëse e vendosur e rrugëtimit evropian të Shqipërisë dhe shtëpia e dytë e qindra-mijra emigrantëve shqiptarë, të cilët kontribuojnë për familjet e tyre, por edhe për ekonomitë dhe sistemet e mirëqenies të të dy vendeve tona.”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Ambasadori Fabrizio Bucci u shpreh se Ambasada po vazhdon të mbështesë bashkëpunimin midis të dy vendeve, i cili po shënon një progres të dukshëm kohët e fundit.

Kryetarja e Komisionit te Mbrojtjes në Senat, znj.Roberta Pinotti, vuri në dukje midis të dy vendeve është ndërtuar një model i jashtëzakonshëm bashkëpunimi dhe e vuri theksin në bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike.

Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Dhomën e Deputetëve, z. Gianluca Rizzo, vuri në dukje se solidariteti i popullit italian me popullin shqiptar gjatë fillimeve të valëve migrese si edhe solidariteti i popullit shqiptar me popullin italian gjatë pandemisë tregojnë se midis të dy popujve po ndodh një shkëmbim i natyrshëm solidariteti.


Share