Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi seancë dëgjimore me grupet e interesit dhe miratoi në tërësi projektligjin "Për buxhetin e vitit 2022"

  • Postuar më, 18/11/2021

Në drejtimin e kryetares, znj. Albana Vokshi, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin "Për buxhetin e vitit 2022". Të ftuar ishin znj. Erinda Ballanca Avokati i Popullit,  znj.  Edlira Çepani, Rrjeti Barazi në Vendimmarrje si dhe komisionerë të Avokatit të Popullit. Të pranishëm ishin znj. Mira Rakacolli zëvendësministre në  Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , përfaqësues të tjerë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët. 

Të ftuarit, paraqitën mendimet, sugjerimet dhe këndvështrimin e tyre lidhur me projektbuxhetin për vitin 2022. Znj. Ballanca, ngriti disa problematika ne aspektin e mbrojtjes sociale dhe atë të kujdesit shëndetësor, si masa e ndihmës ekonomike etj. Lidhur me monitorimin e  buxhetimit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje znj. Ballanca nënvizoi se, nga analiza e të dhënave buxhetore rezulton se fondet e alokuara për adresimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, në përgjithësi janë të pamjaftueshme dhe nuk përkojnë në një masë të konsiderueshme me nevojat reale financiare për të përmbushur angazhimet e ndërmarra në këtë fushë. Duke marrë parasysh dhe sugjerimet në konsultimet me grupet e interesit më tej komisioni kaloi në shqyrtimin nen për nen të projektligjit "Për buxhetin e vitit 2022" dhe me shumicë votash miratoi në tërësi projektin në fjalë.


Share