Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi  Aktin Normativ nr.2, datë 16.8.2017 “Për disa ndryshime në ligjin nr.130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017”

  • Postuar më, 25/09/2017

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi Aktin Normativ nr.2, datë 16.8.2017 “Për disa ndryshime në ligjin nr.130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017”.

I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj,  i cili bëri edhe prezantimin e aktit normativ.

Në fjalën e tij, z. Ahmetaj bëri një parashtrim të treguesve financiar për periudhën janar-korrik të vitit 2017 duke u shprehur se realizimi i tyre ka qenë konform projeksioneve të bëra gjatë hartimit të buxhetit në muajin dhjetor 2016.

“Dua të theksoj se treguesit makro-ekonomik dhe performanca fiskale gjatë 8 mujorit është plotësisht në linjë me parashikimet fillestare dhe objektivat e buxhetit 2017. Deficiti buxhetor ka 0 ndryshim nga niveli i programuar në buxhetin fillestar. Përsa i përket treguesve fiskal  të konsoliduar për periudhën janar-korrik 2017, të ardhurat janë realizuar në masën 103.2% ose rreth 7.7 miliard lekë më shumë se projeksioni. Ndërsa shpenzimet janë realizuar në masën 98.3%. por çka është më e rëndësishme, ndonëse në periudhë zgjedhjesh parlamentare, balanca fiskale e qeverisë në muajin korrik është 2.9 miliard lekë suficit. Rritja ekonomike për vitin 2017 parashikohet të jetë në nivelin 3.8% në përputhje me projeksionet fillestare”, - u shpreh z. Ahmetaj.

Duke folur për ndryshimet që paraqet akti normativ ne buxhetin e shtetit për vitin 2017, z. Ahmetaj theksoi se do bëhet një rialokim fondesh ku do të shtohet fondet për sektor si energjetika, infrastruktura apo fondet rezervë në rast të fatkeqësive natyrore. “Pikë së pari, fonde shtesë në formën e huas nga kredia e Bankës Botërore për sektorin energjetik në masën 3 miliard lekë që përmbush nevojat për furnizim dhe energji elektrike deri në fund të vitit 2017 çka bën edhe faktorin bazë për emergjencës së ndërhyrjes me akt normativ. Shtimin me 1.2 miliard lekë të fondit rezervë të këshillit të Ministrave ku 1 miliard lekë parashikohet të përdoren vetëm për emergjencat civile me faktor natyror, thatësira apo faktor të tjerë.

Në programin “transporti rrugor” janë pakësuar fondet nga projektet që nuk kanë pasur ecuri të mirë si përshembull 2 bay-passe dhe projekti i mirëmbajtjes së rrugëve nacionale me Bankën Botërore të cilat iu shtuan fonde projekteve të ndërtimit të akseve nacionale Tiranë-Elbasan dhe Qukës –Qaf-  Plloçkë”,- u shpreh z. Ahmetaj.

Pas prezantimin të bërë nga ministri Ahmetaj, relatori i projektligjit, deputeti z. Anastas Angjeli theksoi se ndryshimet e paraqitura nga qeveria për buxhetin e vitit 2017 janë konform Kushtetutës dhe është mëse i domosdoshëm duke i ftuar kolegët për ta miratuar atë. “Është plotësisht i argumentuar ndryshimi i buxhetit 2017 me akt normativ sepse plotëson të gjitha kushtet kushtetues, nenin 101 të Kushtetutës si edhe të gjitha rregullat e përcaktuara në të gjitha nenet 32, 39 të Rregullores së Kuvendit dhe në ligjin për menaxhimin e buxhetit të Republikës së Shqipërisë. Unë besoj se ne jemi shumë të qartë se akti normativ që vjen është mëse i domosdoshëm”,- tha z. Angjeli.

Nënkryetarja e Komisionit, znj. Jorida Tabaku, duke folur në emër të opozitës shprehu rezerva për realizimin e të ardhurave ekonomik duke u shprehur se opozita është kundër kësaj nisme për ndryshimin e buxhetit. “Ne nuk biem dakord e këtë akt normativ. Opozita do ta votoj kundër këtë akt normativ si një shenjë për të treguar që treguesit ekonomik nuk janë të gjithë ashtu siç i paraqisni ju. Treguesit ekonomik që lidhen kryesisht me mungesën e investimeve, me mos realizimin e të ardhurave dhe me parashikimin modest të të ardhurave duhet të ishin shqetësuese dhe pikërisht ky duhet të ishte debati që ne duhet të kishim zhvilluar sot”,- u shpreh znj. Tabaku.

Më pas,  anëtarët e komisionit e miratuan Aktin Normativ nr.2, datë 16.8.2017 “Për disa ndryshime në ligjin nr.130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017” duka i përcjell për shqyrtim seancës plenare.

 


Share