Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrton një projektligj të rëndësishëm
- Postuar më, 27/03/2017
Në drejtimin e kryetarit të komisionit, z. Erjon Braçe, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi sot projektligjin “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore”. Në kuadër të shqyrtimit të këtij projektligji i ftuar në dëgjesë ishte ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj. Projektligji “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore” fal detyrimet që rezultojnë në sistem si detyrime tatimore dhe doganore të pafalura edhe pse kanë qenë objekt i faljes sipas ligjeve të mëparshme. “Janë konsultuar praktikat më të mira ndërkombëtare në mënyrë që të ketë një ekuilibër mes lehtësimit dhe fshirjes me sa më pak cënim të kulturës së pagesës së taksave”, -tha ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj. “Një iniciativë e tillë merret pasi janë ezauruar masat shtrënguese, dhe janë të vjetra në kohë për t’i krijuar mundësi administratës fiskale që të fokusohet në mbledhjet e detyrimeve të reja dhe të ofrohet një stimul për pagimin e detyrimeve tatimore të pesë vjetëve të fundit, për të cilat janë hequr penalitetet”, -sqaroi ministri Ahmetaj. Relatorja e komisionit, deputetja Blerina Gjylameti bëri disa propozime konkrete për t’u përfshirë në projektligj, ndërhyrje të cilat gjetën miratimin e deputetëve të komisionit. Mbledhja e komisionit do të vijojë ditën e nesërme me diskutimet nen për nen për të njëjtin projektligj, pas integrimit dhe përshtatjes së propozimeve të bëra nga relatorja e komisionit.