Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një dëgjesë me zëvendësministrin e Financave, z. Ervin Mete
- Postuar më, 20/02/2017
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një dëgjesë me zëvendësministrin e Financave, z. Ervin Mete, në kuadër të shqyrtimit të aktit normativ nr. 1, datë 25.1.2017 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Përfaqësues të lartë të Ministrisë së Financave dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore shoqëruan në dëgjesë zëvendësministrin e Financave.
Mbledhja e komisionit u drejtua nga nënkryetarja e Komisionit të Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, znj. Klodiana Spahiu.
Akti normativ, siç sqaroi drejtuesja e seancës së komisionit, deputetja Klodiana Spahiu, ishte sjellë nga Këshilli i Ministrave për të mos krijuar ngërç në hapësirën ligjore për të mbledhur kontributet shoqërore dhe shëndetësore, ngërç i cili mund të krijohej si pasojë e procedurës normale e rikthimit të ligjit në Parlament, pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të ndryshimit të propozuar në ligj gjatë vitit 2015.
“Akti vjen për të plotësuar hapësirën e lindur pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese te neneve qe përcaktonin për të vetëpunësuarit dhe profesionet e lira një page referente. Tashmë rikthehemi në hapësirën midis pagës minimale dhe maksimale”, tha zëvendësministri Mete në hapje të fjalës së tij.
“Akti, përveçse rregullon hapësirën boshe, bën edhe harmonizimet përkatëse duke prekur dy ligjet, duke krijuar lehtësi në procedurë sa u përket personave të vetëpunësuar dhe të papaguar të familjes, të cilëve më përpara u kërkohej të regjistroheshin në tatime 2 ditë pasi ishin regjistruar në QKR, tani u lihet hapësirë deri 3 ditë përpara deklarimit”, sqaroi zëvendësministri i Financave, z. Ervin Mete.
Akti normativ u votua në parim pro me votat e gjithë anëtarëve të pranishëm në komision.
Më pas, komisioni nisi shqyrtimin e propozimit të përbashkët të anëtarëve të komisionit “Për një ndryshim në ligjin nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar.”
Nënkryetarja e komisionit, z. Klodiana Spahiu, paraqiti ndryshimet e propozuara, duke theksuar se qëllimi i këtij ndryshimi është rregullimi i boshllëkut ligjor dhe dhënia përgjigje për shqetësimin e ndihmësfarmacistëve në ushtrimin e profesionit të tyre.
Mbledhja u mbyll pa një votim, në pritje të dhënies së mendimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhrit të Farmacistëve.