Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi Aktin Normativ nr. 2, datë 16.12.2016 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar

  • Postuar më, 23/01/2017

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi aktin normativ nr.2,datë 16.12.2016 “Për disa ndryshime në ligjin nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar.

Të ftuar në mbledhje ishin Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe përfaqësues të tjerë të Ministrisë së Financave.

Gjatë prezantimit të Aktit Normativ në komision Ministri Ahmetaj u shpreh se pavarësisht ndryshimeve është ruajtur niveli i defiçitit buxhetor, ndërsa të ardhurat janë realizuar në masën 98 %.

Sipas z. Ahmetaj, me ndryshimet që iu bënë buxhetit përmes këtij Akti Normativ janë shlyer të gjitha detyrimet e prapambetura të krijuara rishtaz ndaj kompanive private.

Akti normativ u miratua nga qeveria në muajin dhjetor me qëllim rishpërndarjen e fondeve brenda buxhetit dhe financimin e ‘paketës së solidaritetit’ për pensionistët dhe shtresat në nevojë në fund të vitit. Katër miliardë lekë u akorduan për shpërblimet e fundvitit, 450 milionë lekë për shlyerjen e dëmshpërblimeve nga fatkeqësitë natyrore dhe 142 milionë për shlyerjen e detyrimeve për mirëmbajtjen e rrugëve. 3.66 miliardë lekë u alokuan për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për kontratat e punimeve në infrastrukturë. 3.3 miliardë lekë të tjera u dhanë për Fondin e Zhvillimit të rajoneve, për t’u investuar në infrastrukturën e rrugëve rurale.

Ndërkaq, deputeti i PD-së, Ridvan Bode deklaroi se Akti Normativ i sjellë nga qeveria ka karakter elektoral, ku i referohej konkretisht “paketës së solidaritetit”.

Pas diskutimeve Akti Normativ nr. 2,datë 16.12.2016 “Për disa ndryshime në ligjin nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar u miratua nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat.


Share