Komisioni për Sigurinë Kombëtare rrëzoi dekretin nr. 9501, datë 4.4.2016 të Presidentit e Republikës “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”

  • Postuar më, 21/06/2016

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi” dhe projektligjin “Për kontrollin kufitar”. Zv.Ministri i Brendshëm, z. Stefan Çipa tha se projektligji “për ratifikimin e protokollin e Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi” është një dokument i rëndësishëm i Aleancës, i nënshkruar më 19 maj gjatë Ministerialit të Jashtëm të NATO-s e që pritet të ratifikohet nga parlamentet e 28 vendeve anëtare dhe nga parlamenti malazez. Kjo do t’i hapte rrugën pranimit të Malit të Zi, si anëtari i 29-të i organizatës më të madhe ushtarake në botë. Ratifikimi i këtij protokolli është një hap i rëndësishëm i Aleancës për të zgjeruar rrethin e shteteve anëtare dhe zonën e saj të sigurisë. Në rrafshin politik, anëtarësimi i Malit të Zi është në zbatim të plotë të politikës së “Dyerve të hapura” dhe po ashtu përben një shembull të qartë të parimit demokratik se çdo shtet sovran ka të drejtën e pakundërshtueshme për të zgjedhur në mënyre të lirë aleancat e veta. Në aspektin e sigurisë, ky anëtarësim ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e sigurisë në hapësirën euro-atlantike. Gjithashtu, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO-s rrit sigurinë rajonale, redukton “njollat gri” në këtë dimension të rëndësishëm dhe ndikon në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Pas diskutimeve ky projektligj u miratua, ndërsa mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “për kontrollin kufitar”. Ky projektligj është në përputhje të plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian lidhur me lëvizjen e lirë dhe menaxhimin e kufirit me Kodin Shengen si një koncept ombrellë që ndahet nga verifikimi kufitar dhe gjithashtu duke përcaktuar termat të tilla si mbikëqyrja kufitare apo veprimtaria në vijën kufitare, deri tek kontrolli kufitar. Këto terma janë të gjithë pranuara tashmë, jo vetëm në legjislacionet nacionale, por edhe në legjislacionin e Bashkimit Europian, si standardi minimal për tu përmbushur dhe nga Republika e Shqipërisë. Edhe ky projektligj u miratua pas votimit. Pika e tretë e rendit të ditës ishte shqyrtim i Dekretit nr. 9501, datë 4.4.2016 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”. Gjatë diskutimeve deputetët e PS-së dhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, e cilësuan dekretin si të pabazuar në ligj, ndërsa përfaqësuesit e opozitës në komision u shprehën në mbështetje të tij. Deputeti i PD-së, Flamur Noka i kërkoi komisionit të publikohet dokumenti i sjellë nga Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave si dhe kërkoi informacion për koston që ka zbatimi i ligjit. Ndërsa, deputeti i LSI-së, Luan Rama tha se ka votuar kundër ligjit, pasi drafti nuk kishte mendimin e partnerëve dhe asnjë projekt për kostot. Në përfundim të debateve, Komisioni për Sigurinë Kombëtare rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani që kthente për rishqyrtim ne Kuvend ligjin “për masat shtesë të sigurisë publike”.


Share