Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projektligj të rëndësishëm

  • Postuar më, 13/06/2016

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi”.

I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte Armand Skapi, Drejtori i Traktateve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili bëri një prezantimin të projektligjit.Dokumenti që ju paraqitet sot për shqyrtim është protokolli i traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi. Është një dokument i rëndësishëm i aleancës i nënshkruar në datën 19 maj 2016 në kuadrin e Ministerialit të Jashtëm të aleancës. Është një protokoll shumë i rëndësishëm për faktin se nëpërmjet këtij dokumenti të Aleancës së Atlantikut të Veriut i shtohet edhe një anëtar i ri, shtet i Ballkanit Perëndimor. Është një hap i rëndësishëm i aleancës për të zgjeruar rrethin e shteteve anëtare për të zgjeruar zonën e sigurisë së aleancës”,- tha z. Skapi.

Relatori i projektligjit z. Pandeli Majko tha se ky projektligj duhet të miratohet sa më parë në mënyrë që të zgjerohet siguria e rajonit. “Mendoj se Mali i Zi është një fqinjë shumë i rëndësishëm i jonë dhe nga pikëpamja procedurale ne duhet të jemi vendi i parë, ose parlamenti i parë që do të ratifikojmë këtë protokoll dhe mendoj se kjo ka të bëj edhe me marrëdhënien shumë të rëndësishme që kemi me anëtarësimin, sidomos me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe që e kthen Adriatikun në një det të NATO-s”,- tha z. Majko.

Më pas deputetët vijuan shqyrtimin e projektligjit duke e miratuar nen për nen dhe në tërësi.


Share