Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 09/06/2016

Në seancën e sotme plenare, Kuvendi diskutoi disa projektligje të rëndësishme në fushën e shërbimeve sociale.

Në hapje të seancës, u njoftuan projektligjet e depozituara në Kuvend për shqyrtim duke vijuar më pas me diskutimet.

Për projektligjin për “Ndërmarrjet Sociale në Republikën e Shqipërisë”, në emër të grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, diskutoi deputetja znj. Edlira Çekrezi, e cila theksoi qëllimin e këtij projektligji, duke kërkuar miratimin e tij. “Ky projektligj përcakton statusin ligjor që një person juridik duhet të ketë që të marrë statusin e ndërmarrjes sociale, kriteret që duhet të përmbush si dhe privilegjet që lidhen me mbartjen e këtij statusi. Qëllimi i këtij projektligji është të thellojë integrimin, punësimin e personave të përjashtuar nga tregu i punës për shumë arsye personale, si aftësia e kufizuar, alkoolizimi etj, duke pasur parasysh të drejtën themelore të individit dhe dinjitetin njerëzor të tij”,- tha znj. Çekrezi.

Në emër të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, diskutoi deputetja znj. Klodiana Spahiu, e cila e vlerësoi këtë nismë dhe kërkoi votimin e saj. “Ndërmarrjet sociale në çdo vend të Evropës Perëndimore, janë iniciativa me mbështetje publike që sigurojnë punësim, sigurohet punësim për ato shtresa, si grupet me aftësi të kufizuara, komunitetet minoritare si rome, apo egjiptiane etj, familjarë me probleme të ndryshme, familjarë me probleme të varfërisë ekstreme, të përjashtuar socialë etj, të cilat në tabelat e statistikave rrisin frikshëm të dhënat për papunësinë dhe nivelin ekonomik. Parashikohet qartë, se do të jenë pikërisht këto shtresa, që do të zënë, e detyrueshme kjo, e theksoj e detyrueshme, 30 për qind të personelit të ndërmarrjeve sociale. Për të punësuarit e tjerë, projektligji është i qartë, për moshën, arsimin, kualifikimin dhe personat e regjistruar të papunë”,- tha znj. Spahiu.

Projektligji “Ndërmarrjet Sociale në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Edhe projektligji tjetër, për “Shërbimet në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërsa Dekreti nr. 9577, datë 5.5.2016 “Kthimi për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë” u rrëzua me 73 vota kundër, asnjë pro dhe asnjë abstenim.

Krahas kësaj seanca miratoi edhe Kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit.

Gjithashtu seanca miratoi edhe projektvendimet për zgjatjen e afatit me gjashtë muaj të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore si edhe zgjatjen e afatit me një muajt të Komisionit Hetimor për të Kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore tatimore lidhur me vendimin e Kuvendit nr. 8, 2016.


Share