Kuvendi zhvillon interpelancë me Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto lidhur me ecurinë e punës në rrugën e Arbrit

  • Postuar më, 09/06/2016

Me kërkesë të Grupit parlamentar të PDIU-së, u zhvillua interpelancë me Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto lidhur me ecurinë e punës në rrugën e Arbrit. Në fjalën e tij, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto tha se deri më tani  janë investuar 3 miliardë në vitin 2013, 1.6 miliardë në vitin 2014 dhe 1.4 miliardë në 2015. Z. Haxhinasto u shpreh se rruga është e gjatë 72 kilometra dhe ka një shpejtësi prej 60 kilometrash në orë. “Rrruga  po ndërtohet në një lartësi deri në 900 metra mbi nivelin e detit dhe për këtë duhet masa të mëdha për përballimin e efekteve atmosferike. 6 Km që mungonin ishin pjesa e fundore e kufirit shqiptaro-maqedonas. Ata nuk pranonin që kjo rrugë të bëhej pasi përkonte me zonën e tyre të mbrojtur, por ne insistuam dhe arritëm marrëveshjen”, tha z. Haxhinasto. Ministri tha se janë 5 oferta nga një kompani kineze dhe një nga kompani shqiptare, pritet dhe një e gjashtë nga kompania kineze. Deputetja, znj. Mesila Doda kërkoi që qeveria ta shohë me prioritet përfundimin e  ndërtimit të rrugës së Arbrit. "Ashtu siç është një mundësi e munguar për Dibrën që të ketë mundësi që të ketë një lidhje më të afërt dhe më të shpejtë me kryeqytetin, me tregjet industriale, me tregun turistik , po ashtu edhe Tirana po privohet nga një pasuri që ka dhe që është në kufi me të. Nga ana tjetër z. Ministër vura re se interpelanca juaj është me tone thellësisht ekonomike dhe pak politik. Është projekti më i rëndësishëm dhe duhet të gjenden fondet aty ku mund të gjenden, ashtu siç u gjetën për rrugë të tjera të rëndësishme siç ishte rruga e Kombi apo rruga e Lumit të Vlorës, Qafë Pllocë-Qukës. Kjo është me rëndësi primare dhe është me rëndësi primare sepse e keni premtuar 72 herë. Është me rëndësi primare sepse janë njerëz që po largohen sepse nuk gjejnë mundësi tjetër për të jetuar në vendin tyre, është mundësi primare sepse është një mundësi ekonomike që nuk po zhvillohet”, tha znj. Doda. Ministri i Transporteve deklaroi se kjo nuk është vetëm një çështje që kërkon të trajtohet në aspektin politik. “Unë mendoj se Shqipëria ka shumë nevoja dhe duhet të gjejmë formulat më optimale me qëllim që çdo lek të publikut shqiptar ta trajtojmë në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme”, tha z. Haxhinasto.


Share