Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi  Raportin Vjetor 2015 të Ministrisë së Drejtësisë, mbi inspektimet e kryera në organin e Prokurorisë

  • Postuar më, 19/04/2016

 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi Raportin Vjetor 2015 të Ministrit te Drejtësisë mbi inspektimet e kryera në organin e prokurorisë dhe projektligjin “Për shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre”.

Në fillim Komisioni miratoi projektrezolutën për raportin vjetor të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe të Dhënave Personale për veprimtarinë e tij gjatë vitit 2015, dhe projektrezolutën për Raportin Vjetor të Departamentit të Administratës Publike për vitin 2015.

I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani, i cili bëri një përshkrim të raportit vjetor mbi inspektimet që janë kryer në Prokurori.

Z. Manjani theksoi se perceptimi i publikut vijon të mbetet i ulët mbi veprimtarinë e prokurorisë. “Detyra ime ligjore që të raportoj para këtij komisioni për ecurinë e punës të Prokurorisë për vitin që shkoi, padyshim që në raport janë detajuar të gjitha aspektet e punës tonë në raport me Prokurorinë edhe sipas statusit ligjor që kemi, dhe unë do të desha që në këtë prezantim të shkurtër të ndalem në disa probleme që janë vënë re. E theksoj që është e rëndësishme që të fokusohemi tek problemet aq më tepër këtë vit që jemi në prag të ndërhyrjeve më të thella të programuara ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar në kuadër të reformës në drejtësi. Gjatë periudhës së raportimit, kontrolli që ne kemi ushtruar në prokurorinë, në shërbimin e prokurorisë, ka qenë i planifikuar ose me ankesë. Dua ta theksoj që ankesat për shërbimin e prokurorisë në Ministrinë e Drejtësisë janë të një numri të lartë të krahasueshëm me ankesat që vijën dhe për gjyqësorin, gjë që reflekton ende besimin e ulët të publikut tek ky shërbim”,- tha z. Manjani.

Në vijmë të fjalës së tij, Ministri theksoi se për vitin 2015 janë zhvilluar 7 inspektime në 8 prokuroritë kryesore të vendit. “Në qoftë se nisemi nga të dhënat statistikore të Ministrisë së Drejtësisë thotë që janë 7 kontrolle për në 8 prokurori kryesore të vendit të inspektuara në mënyrë tematike ashtu siç kemi verifikuar edhe ankesa konkrete, janë verifikuar rreth 2 mijë procedime penale gjatë vitit për të kuptuar se çfarë realisht ndodh. Dhe unë nuk mendoj që është tregues sasia e inspektimeve se sa është tregues gjetjet”,- tha z. Manjani.

Po sot, komisioni vijoi me shqyrtimin e pikës së dytë të rendit të ditës, projektligjin “Për shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre”. Komisioni e miratoi në parim duke shtyrë shqyrtimin nen për nen në seancën tjetër.


Share