Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton një projektligj të rëndësishëm

  • Postuar më, 19/04/2016

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve në zbatim të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Kryetari i Komisionit, Erion Braçe i kërkoi Ministrit t Mirëqenies Sociale, z. Blendi Klosi hartimin e një ligji kuadër, në mënyrë që të mbrohet kjo kategori. “Janë 6 ligje dhe 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese për këtë kategori. Të hartohet një ligj i qëndrueshëm që mbron këtë kategori nga sulmet politike”,- tha z.Braçe.

Klosi vuri në dukje se qëllimi i këtij projektligji është t’i japë zgjidhje problematikës shumëvjeçare të kategorisë së ish-ushtarakëve, e shkaktuar si pasojë e një kuadri ligjor jo të qëndrueshëm, i kundërshtuar që në fillimet e hartimit të tij dhe në vazhdimësi nga kjo kategori, si dhe i gjykuar dhe rrëzuar disa herë nga Gjykata Kushtetuese. Ministri i Mirëqenies Sociale tha se synimi është falja e detyrimeve të ish-ushtarakëve që kanë rezultuar debitorë si pasojë e efekteve prapavepruese të rillogaritjes së pensioneve në zbatim të ligjit të vitit 2010, si dhe të periudhës së gjatë të nxjerrjes dhe përpunimit të dokumentacionit mbi pagën mesatare referuese dhe periudhën e shërbimit.

Në mbledhjen e radhës, do të bëhet shqyrtimi nen për nen i projektligjit.


Share